• |
ide | kryesore

“Paolo Rossi shkoi përtej limiteve”: Rama, Sacchi e arbitri i Itali-Brazil 82′ kujtojnë kampionin italian

F1, Sport
Rossi



“Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” ekspozita e famshme mbi jetën dhe karrierën e ish-sulmuesit të madh italian është prezantuar në Muzeun Kombëtar, në prani të personaliteteve politike e sportive. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama i ftoi të gjithë për ta vizituar ekspozitën e kampionit italian.

“Jam i kënaqur që erdhi ky moment për të hapur dyert dhe për të mirëpritur të gjithë ata që duan të bëjnë këtë shëtitje në të shkuarën dhe të mendojnë për të ardhmen. Për ne, futbolli ka qenë një imazh i një bote tjetër, prania e një jete tjetër. Mundësia për të parë një pasqyrë që lëvizte, të një ëndrre të ndaluar. Për ne ishte dritarja e lirisë në errësirën e asaj kohe. Dua t’i ftoj të gjithë, të vijnë të ndjekin këtë ekspozitë. Futbolli hyn në çdo shtëpi, të paktën nga një anëtar i familjes. Forca e futbollit nuk është vetëm në atë çka ndodh për 90 minuta. Futbolli ndryshon, kultura dhe Paolo Rossi shkoi tej limiteve pa e humbur buzëqeshjen”, tha Rama.

Numri 1 i futbollit italian, Gabriele Gravina, shtoi: “Jam i nderuar që jam sot këtu. Kjo ekspozitë është diçka e mrekullueshme që krijon një hapësirë midis rëndësisë së kohës të lidhur me memorien. Paolo Rossi është hero që nuk njeh kohë. Ai e mëshiron në mënyrë perfekte këtë gjë. Tani do të keni mundësi që ta shihni nëpërmjet ekspozitës”, tha Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit. Fjalë që iu bashkua edhe ish-trajneri i famshëm italian, Arrigo Sacchi. “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu në këtë vend të mrekullueshëm, qyteti ka ndryshuar shumë. Futbolli dhe sporti në përgjithësi të ndihmojnë që të jetosh më mirë dhe ky aktivitet është për të gjithë”.

KUJTIMET E ISH-SHOKËVE DHE BASHKËSHORTES

Kujtimet e kampionit që Rossi ishte i sollën Marco Tardelli e Antonio Cabrini: “Gjithçka që ka bërë Paolo ka ndryshuar futbollin italian dhe jo vetëm. Ishte një mik i mirë dhe një djalë i mrekullueshëm, ishte një personazh pozitiv dhe i veçantë. Kanë kaluar tre vite që Paolo ka ndërruar jetë, humbi një pjesë e grupit dhe skuadrës sonë, tani ai po na sheh nga lart” tha Cabrini.

“Besoj që e njihja Paolon shumë mirë, ishim shumë miq së bashku, kënaqësi të flasësh për të. Një njeri fantastik, person me shumë besim, kishim gjithnjë nevojë për të në skuadrën tonë”, kujtoi Tardelli.

Lexo më tejNjeriu që shembi Brazilin mitik: ekspozita unike e legjendarit Paolo Rossi vjen në Tiranë

Bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, tha se ndihet e nderuar që ekspozita “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” vjen në një vend mik siç është Shqipëria: “Marco më propozoi mundësinë për ta sjellë ekspozitën në Shqipëri dhe sot dua të them që jam shumë e lumtur që ekspozita vjen në një vend mik si Shqipëria. Dua t’i falenderoj shumë ata që e bënë të mundur këtë gjë dhe shpresojë shumë që kjo ekspozitë të mund të sjellë vlera, parime dhe një pjesë shumë të rëndësishme të Italisë, në këtë realitet shumë të bukur që quhet Shqipëri dhe Tiranë”.

NJERIU QË E PA T’I SHËNONTE 3 GOLA BRAZILIT

Pjesë e inagurimit të ekspozitës ishte edhe një i ftuar special, Abraham Klein, ish-arbitrit izraelit i gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil: “Është hera e parë që e vizitoj Tiranën. Kam qenë kudo në botë, por për herë të parë jam sot këtu. E kam njohur Paolo Rossin në fushë, pasi e kam arbitruar pesë herë kur ai ka qenë duke luajtur. Gjithmonë do të mbahet mend si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka kontribuar për Italinë dhe për futbollin në përgjithësi. Humbja e tij ka qenë një tragjedi për familjen, futbollin dhe për të gjithë botën”, tha Klein.

Hapësirat e ekspozitës do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jo vetëm jetën dhe karrierën e ish-kampionit Paolo Rossi. Të gjithë të apasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror. Ekspozita do të jetë e hapur nga sot (1 shkurt) deri më 24 shkurt në Muzeun Kombëtar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *