• |
ide | kryesore

Patos, banorët protestojnë për mungesën e rrugës

Arkiva, Lajme, Të fundit



Dhjetëra banorë në Patos Fshat të Fierit kanë dalë në protestë ditën e sotme për infrastrukturën e rrënuar dhe shërbimet bazike që mungojnë prej vitesh.

Ata janë grumbulluar në qendër të fshatit me pankarta në duar dhe kanë thënë se rruga e amortizuar është kthyer në një problem për ta, pasi prej më shumë se dy dekadash gjendja është skandaloze.

Bëhet fjalë për një segment rrugor prej më shumë se tre kilometra, i shkatërruar pothuajse në gjithë gjatësinë e tij, duke krijuar vështirësi të mëdha në aktivitetin e përditshëm, teksa banorët kanë theksuar se amortizimi i mjeteve është një kosto e shtuar për xhepat e tyre.

Sipas banorëve, kjo rrugë nuk njeh investim që nga viti 1994, duke i penguar së tepërmi në përditshmërinë e tyre, ndërsa kanë theksuar se pavarësisht neglizhencës së investimeve, braktisja e fshatit nuk ka ndodhur.

Patosi Fshat numëron rreth 1800 banorë, të cilët vuajnë jo vetëm mungesën e infrastrukturës, por edhe një sërë shërbimesh të tjera si mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, e dritave, e rrugëve për në tokat e tyre etj.

Përballë kësaj neglizhence shumëvjeçare për investime dhe premtime boshe, banorët apelojnë për ndërhyrje të shpejtë për rikonstruktimin e kësaj rruge bazike për komunitetin e tyre dhe realizimin e investimeve të munguara.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *