• |
ide | kryesore

Po planifikonte kryerjen e një atentati, arrestohet 35-vjeçari me tre identitete

Lajme, Të fundit



Polica e Vlorës ka arrestuar 35-vjeçar me tre identitete. Blutë prangosën shtetasin Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj, banues në Vlorë. Ndërkohë janë shpallur në kërkim tre persona.

Personat e shpallur në kërkim janë bashkëpunëtorët e 35-vjeçarit. Këta shtetas akuzohen për organizimin e një vrasjeje dhe grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi:

Zhvillohet nën drejtimin e SPAK-ut operacioni policor i koduar “Trekëndëshi”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.



1 Comment

  1. Te jetosh ne Shqiperi eshte sfide…i mbushur vendi me kriminel ,vrases me pagese,drogaxhi,mund te vritesh gabimisht,nga ni psikopat ,ka raste kur shkrep armen ne grumbull njerzish siq ndodhi ne plazhin e dursit paten psu tre persona pa faj,…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *