• |
ide | kryesore

Indiferenca e Shqipërisë dhe Europa e protestave të fermerëve

Lajme, Të fundit



E botuar në vitin 1886, poema “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit mbetet edhe sot një nga veprat klasike që, përveçse nxit ndjenjën kombëtare, është një himn për punën dhe për njerëzit e punës.

Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë.

Dekadat kanë kaluar, shumë gjëra kanë ndryshuar, por bujqësia vijon të mbetet një sektor me peshë i ekonomisë vendase, duke zënë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian dhe 11% shteti i dytë pas nesh, Kosova.

Pavarësisht madhësisë, sektori nuk ka qenë asnjëherë i privilegjuar. Problemet e trashëguara, copëzimi i tokës pas viteve ’90, mungesa e orientimeve në kulturat që mund të kenë avantazh konkurrues, subvencionet e ulëta, ose tërësisht të munguara, e kanë bërë bujqësinë një sektor tërësisht joproduktiv, që nuk arrin të shfrytëzojë ekonominë e shkallës, duke pasur rendiment të ulët e kosto të larta.

Të dhënat e INSTAT tregojnë që në 2022 dhe 2023, rritja e bujqësisë ishte afër zeros, madje në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar u kthye në negative (-0.5% në korrik-shtator). Blegtoria sidomos po vuan më shumë, siç tregon dhe tendenca e rënies së gjedhëve e prodhimit të qumështit.

Kronikat me fermerët që nuk arrijnë të shesin produktet e tyre janë shtuar ndjeshëm në media. Një vit prodhohet grurë (këtu nuk kanë shumë faj fermerët se i nxiti Ministria e Bujqësisë) dhe vitin tjetër, produkti mbetet stok i pashitur dhe askush nuk i del për zot.

Një vit tjetër prodhohen qepë me tepricë e pas disa muajsh hidhen në lumë. Më pas prodhohen patate dhe nuk shiten, sepse produkti po vjen nga Serbia, apo ndonjë shtet tjetër i rajonit më lirë. Mollët e famshme të Korçës sërish nuk arrijnë të shiten, nuk e gjejnë rrugën as që të përpunohen.

Qumështi vendas po zëvendësohet me importin, sepse vjen më lirë.

Edhe në tregun e Lushnjës, me zonën që njihet si hambari i bujqësisë, gjen më shumë mallra importi sesa vendi. Por, zëri i fermerëve është krejt i pafuqishëm. Pakkush i dëgjon ata, kur ankohen për kostot e shtuara, mungesën e fuqisë punëtore, që ka ikur në emigracion, konkurrencën e fortë nga rajoni, apo shtetet fqinjë. Kontrasti është i fortë me fermerët e Europës.

Në të gjithë Europën po shpërthen një revoltë e fermerëve. Në Belgjikë, Gjermani, Holandë, Poloni, Rumani dhe Spanjë, fermerët janë ngritur në këmbë. Dhe të mendosh që sektori i bujqësisë, në fakt, është shumë i përkëdhelur nga BE-ja, e cila i ofron subvencione me vlerë sa plot një e treta e buxhetit të bllokut.

Megjithatë, fermerët po ndiejnë se këto fonde po i rrëshqasin nga duart, gjë që ka nxitur protestat. Këto subvencione i kanë mbrojtur ata nga konkurrenca e përtej bllokut për dekada të tëra.

Që nga fillimi i viteve 2000, Shqipëria ka qenë më aktivja në përqafimin e tregtisë së lirë dhe heqjen e tarifave, por diku në këtë proces, harroi që të bënte shumë sektorë, sidomos bujqësinë, më konkurrues. Madje qeveria me politikat e saj shpesh ndikoi negativisht, si në rastin e eliminimit të skemës së kompensimit të TVSH-së për fermerët.

Goditja e fundit u dha nga bllokimi i fondeve të IPARD, që pavarësisht se shpesh nuk shkonin në drejtimin e duhur, ishin një shpresë për t’i dhënë pak frymëmarrje sektorit.

Ndryshe nga një shekull e gjysmë më parë, bujqësia sot nuk arrin të frymëzojë askënd. Edhe sektori i turizmit, që edhe këtë vit pritet të jetë në lulëzim, me shumë gjasa do t’i drejtohet importit për të siguruar produktet e nevojshme nga kërkesa që do të jetë shumë e lartë.

Sinjalet e operatorëve janë madje që deri edhe bukën do të tentojnë ta marrin të gatshme nga jashtë (në formë të ngrirë).

Në fund të fundit, në një ekonomi tregu, zgjidhja do të gjendet gjithmonë. Askush nuk rrezikon të mbetet pa bukë, apo ushqime. E humbur do të jetë ekonomia rurale, që nëse vazhdon të jetë jashtë vëmendjes së politikave nxitëse, rrezikon të mbetet e shkretuar nga emigracioni, i cili nuk po ndalet.

Duhet të kuptojmë se ekonomia bujqësore jemi ne. Bujqësia apo blegtoria është ajo që konsumojmë. Kur flasim për bujqit dhe bujqësinë, blegtorët dhe blegtorinë, kemi folur për një të pestën e ekonomisë shqiptare dhe, pse jo, indirekt edhe për ndikimin e saj mbi turizmin apo emigracionin. Problemet rurale janë edhe tonat.

Ndaj, ashtu siç po ndodh në Europë, ku qyteti u bë një me fshatin, duhet të bëhemi zëdhënës të atyre që nuk kanë zë, duke sensibilizuar opinionin publik./ MONITOR



5 Comments

  1. Ore ende nuk e kuptoni qe shqiptaret jan me te meta mendore. Plus Covid me vaksinat i dhan goditjen e fundit

  2. Artikull pa sens! Hajde te sensibilizojme per cfare? te vetmit qe kane llogarite plot ne Shqiperi jane fshataret. Perse Duhet tu japim leke apo sepse po e kane qumeshtin me te lire se EU, apo mishin? Ne fakt rezulton me 20-30% me teper. I erdhi kujt keq qe sivjen kilja e shalqirit shkoi 80 Leke dhe kalamajte nuk e preken dot me dore. A po i vjen dikujt keq qe kilja e qimeshtit ka shkuar 170 leke dhe per mengjes femijeve nuk kemi c’tu japi. Perse duhet te heqim nga kontributet e shkolles dhe shendetsise kur keta jane makuter dhe e shesin produktin me shtrenjte se EU apo se do lexojme prape NAIMIN. produkti i pashitur dhe demet e konomike u mbeten te gjitheve, Bujqesia eshte biznes sikurse per te gjithe. …Mjaft me keto patetizma..Shkruesit e artikullit ose jane budallenj ose keqdashes.

  3. Naim frasheri beri “Bageti e Bujqesi. Ky birbo na ben bujqesi e histori. Nuk béni asnje analyse pse shkon keq bujqesi e blektoria. Qe qeveria hajdute importon prodhime bujqesore nga shtetet e tjera te ballkanit, me qellimin per te varferuar njerezit dhe qe nuk ka asnje kontroll ne ate qe hyn ne tregun ushqimor ,qe vjen miell i mykur nga serbia,e ka aq shume gjera per te thene sa muk mjafton nje nate à gjate dimri..Ps: duhet shtuar edhe se jemi nje popull dembel dhe se per turp, pshatari blen fruta e perime ne qytet. Nuk mbajne nje lope nje dele e as nje pule turp, te vdesim e meritojme!

    1. Vdeksh per vete, me gjithe soj e sorollop! Nuk importon qeveria o Komunist por njerezit ne treg te lire- e aq me teper per te varferuar njerezit. Kush te ndalon te blesh produkte shqipetare. Bli miell italian e mos bli serb (qe e importon Kosova) . I vetmi dembel ne trup e ne mendje ketu je ti e ca si puna jote qe merren me teori e koha i ka lene mbrapa..

      1. O koqe kandari une do blej miell italian apo serb nese ai eshte me i lire me treg se mielli shqiptar pasi un blej sa me lejon xhepi sblej me folklorizma o kaqol

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *