• |
ide | kryesore

Sot 1 vit nga tragjedia greke, 57 persona humbën jetën nga përplasja e trenave (FOTO)

Arkiva, Lajme, Të fundit



Të mërkurën u bë një vit nga aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Greqisë, kur kishin humbur jetën 57 persona. Qeveria ka premtuar se do ta rregullojë sistemin që po vuan nga neglizhenca e gjatë.

“Trenat do t’i vazhdojnë operimet me siguri në nivelin më të lartë të mundshëm” – kishte thënë kryeministri grek, Kyriakos Mistotakis, disa javë pas aksidentit, raporton agjencia “Reuters”.

Pas një viti, megjithatë, ekspertët e aksidenteve dhe zyrtarët e hekurudhave thonë se pak është bërë pak për ta përmirësuar në masë domethënëse sigurinë e komunikacionit hekurudhor, pavarësisht nga dëshmitë gjithnjë më të shumta se mangësitë e sistemit kishin ndikuar që aksidenti të ndodhte.

Kontrollimi i trenave nga largësia dhe sistemet e komunikimit, që janë të detyrueshëm sipas ligjeve të BE-së, ende nuk janë duke funksionuar, i thanë zyrtarët agjencisë “Reuters”. Numri i anëtarëve të stafit në operatorin kryesor të trenave ka rënë nga koha e aksidentit, ndërsa ata që kanë mbetur po presin trajnime të reja. Mungesa e reformës në menaxhimin hekurudhor të Greqisë e ka ngadalësuar përparimin, thanë ata.

Kjo situatë i brengos ekspertët, të cilët thonë se rrjeti hekurudhor i vendit është në rrezik nga aksidente në të ardhmen, nëse nuk përmirësohet siguria.

Ndërkohë, familjet që kanë humbur të dashur dhe të mbijetuarit po kërkojnë përgjigje.

“Nuk e kemi marrë mësimin dhe nuk kemi vepruar. Fatkeqësisht, hekurudha nuk është në gjendje më të mirë” – tha Costas Lakafossis, hetues aksidentesh, i angazhuar nga të afërmit e viktimave.

Ministria e Transportit i tha agjencisë “Reuters” se do të zbatojë një plan gjithëpërfshirës për ndryshimin e hekurudhave dhe se ka pasur përparim domethënës në përmirësimin e sigurisë hekurudhore, pavarësisht nga dëmet e gjera që janë shkaktuar nga vërshimet në shtator.

Maria Karistianou, e cila e humbi vajzën e saj 20-vjeçare në këtë fatkeqësi, thotë se politikanët duhet ta marrin përgjegjësinë për aksidentin që është shkaktuar edhe nga mangësitë e sistemit.

Deri më tani, rreth 800 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion për shfuqizimin e ligjeve që i mbrojnë ministrat nga ndjekja penale.

“Shteti ende po luan me dhimbjen tonë, me pikëllimin tonë dhe e minon tërë shoqërinë” – tha Karistianou.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *