• |
ide | kryesore

Zbardhet dosja hetimore/ Pse ndodhi shpërthimi në Lushnjë që vrau 2 persona

Arkiva
Lushnjë



Të tjera dëshmi kanë dalë nga ngjarja e ndodhur të premten e 2 marsit në magazinën e deputetit Bujar Çela në Lushnjë, ku ai vetë mbeti i plagosur bashkë me gjashtë të tjerë dhe më tragjikja, vdiqën 2 persona. Syria Beshaj përgjegjës-sektori në Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial ka shpjeguar dy fazat e shpërthimit.

“Në vendin e ngjarjes është konstatuar një autovinç me krahun e hapur i cili kishte të varur një bombol oksigjeni të lidhur me litar mendohet se ka qenë dhe një bombol tjetër shoqëruese acetileni ose gaz i lëngshëm propan të cilët së bashku realizojnë procesin e prerjes së metaleve e cila nuk u gjet në vendin e ngjarjes por u gjendën copa të hapura” – thuhet në dëshminë e tij.

Referuar pamjeve filmike ai shpjegon se shpërthimi ka ardhur në dy faza.

“Faza e parë flaka në majën e vinçit dhe faza e dytë bombula në dysheme shkaktuar dhe gropën 2.5 x 2.5 x 0.6 metra. Shpërthimi sipas tij është shkaktuar ose nga rënia në tension e krahut të vincit ose nga manovrimet e gabuara që mund të ketë dëmtuar tubot që lidhnin bombulat me kanellën” – thotë Beshaj në dëshminë e tij.

Ekspertët e policisë së Lushnjës kanë dalë në përfundim se shpërthimi në kapanonin në pronësi të deputetit të Partisë Socialiste, Bujar Çela në lagjen e “Karbunarë e madhe”, ka ndodhur për shkak të një avarie në punë.

“Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakë me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombolat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shkaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e 7 të tjerëve dhe dëmtimin e objektit, banesave dhe e bizneseve përreth”, – thuhet në dosje.

Për ndërtimin që deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela po kryente në magazinat e tij në periferi të Lushnjës, nuk kishin dijeni asnjë nga institucionet lokale. Kjo ka dalë nga dëshmia e dhënë grupit te hetimit nga Robert Kola me detyrë drejtues në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Lushnjë, i cili shpjegon se nuk ka pasur dijeni për ndërtimet deri në momentin e ngjarjes. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *