• |
ide | kryesore

Negociata në Bruksel, Kosova dhe Serbia diskutojnë për heqjen e dinarit dhe marrëveshjen e Ohrit

Lajme, Të fundit



Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë mblidhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërmjetësuesit europianë të procesit do të presin veç e veç Besnik Bislimin e Kosovës dhe Petar Petkoviqin e Serbisë, si udhëheqës të delegacioneve të tyre. Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Bashkimi Europian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja. Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Megjithatë, Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit për pajtueshmëri, duke i cilësuar si “gënjeshtra”. Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën ajo është teknike dhe ka të bëjë me integritetin financiar të vendit.

Një takim për të u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa ndonjë dakordim. Zyrtarët europianë thanë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *