• |
ide | kryesore

Tirana, edhe dy ditë kohë për të paguar detyrimin: FSHF parashikon uljen e 3-6 pikëve

Sport
Tirana



Në momentin më të vështirë të sezonit, pas eliminimit nga Kupa, ankandit për shitjen e aksioneve, më pas të pezulluar përkohësisht në pritje të rivlerësimit të aksioneve, Tirana rrezikon të humbasë përfundimisht edhe vendin në Final Four. Goditja në këtë rast mund të vijë nga jashtë fushës, për shkak se klubi bardheblu ende nuk ka kryer pagesën prej 3 milionë lekësh për ish-trajnerin e tyre, tani te Partizani, Orges Shehi.

Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve u shpreh qartë në favor të teknikut 46 vjeçar dhe duke parë mungesën e veprimit të klubit Tirana, në datën 5 prill Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit urdhëroi klubin kryeqytetas të shlyejë detyrimin brenda 30 ditësh. Afati skadon në 4 maj dhe deri tani asnjë pagesë nuk është bërë në llogari të Shehit.

Lexo më tejHalili i është shmangur pagesës, Disiplina e vë me shpatulla pas murit: “Paguaj Shehin brenda 30 ditësh”

Sigurisht që ka ende edhe dy ditë kohë, që Tirana të likuidojë detyrimin, por nëse dështon ta bëjë, atëherë rregullorja parashikon zbritjen e pikëve në renditjen aktuale të kampionatit. Bëhet fjalë për 3 deri në 6 pikë e në kohën kur bardheblutë janë 1 pikë pas Dinamos e Skënderbeut dhe kalendarin e kanë të vështirë, me transfertën e Laçit dhe Egnatias e mes tyre Klasiken me Vllazninë, gjërat mund të komplikohen përfundimisht nga një zbritje e mundshme pikësh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *