• |
ide | kryesore

Valdano zbulon si Ancelotti i tregoi se zgjidhi krizën me Kroos: pa thënë asnjë fjalë

Sport
Valdano


Nuk është asgjë e re që Carlo Ancelotti ka atë karizmën e rrallë të liderve që arrijnë të zgjidhin situata të ndërlikuara – brenda dhe jashtë fushës – me zgjidhje të thjeshta dhe të zgjuara në të njëjtën kohë, por mbi të gjitha me një qetësi që Real Madrid tashmë e njeh mirë. Carletto është i qetë kur gjërat shkojnë keq gjatë një ndeshje, por edhe në menaxhimin e disa mosmarrëveshjeve me lojtarë të rëndësishëm. Historia e rrëfyer nga Jorge Valdano për zgjidhjen e një krize me një simbol si Toni Kroos është emblematike. Gjithçka u rregullua pa thënë asnjë fjalë.

68-vjeçari Valdano, i cili fitoi Kupën e Botës 1986 si protagonist përkrah Maradonës, veshi fanellën e Real për tre vjet, nga viti 1984 deri në vitin 1987. Argjentinasi u rikthye, më pas, në Madrid si trajner në periudhën dyvjeçare 1994/96. Njohuritë e tij për mjedisin merengues – me vështirësitë dhe presionet e tij të mëdha – e bëjnë rrëfimin edhe më dramatik.

ANCELOTTI U PËRBALL ME KROOS PAS ZËVENDËSIMIT

“Më kujtohet që një ditë Ancelotti e kishte zëvendësuar Kroos dhe Tonit nuk i pëlqente që ta zëvendësonin… – tregon argjentinasi për ‘El Larguero’ – Të nesërmen takova Carlon dhe e pyeta: ‘Si i zgjidhe gjërat me Kroos?’ Dhe ai tha: ‘Këtë mëngjes u pamë dhe ai më bëri një mimikë. Unë iu përgjigja me një mimikë tjetër dhe nuk ishte e nevojshme të thosha asnjë fjalë’, u përgjigj ai”.

GJESTI I ANCELOTTI PËR KROOS

“Për t’u imponuar me një mimikë, duhet të kesh një sfond historik shumë të rëndësishëm dhe një rekord personal të patëmetë. Nuk duhen as fjalë. Lojtari e kupton që nuk kishte asnjë ndjenjë padrejtësie në marrjen e vendimit, pasi ai njeh fisnikërinë e liderit”, përfundoi Valdano, i cili si gjithmonë shprehet me aftësi superiore gjuhësore. Ancelotti mund të bëjë edhe pa të: nëse je lider, mund të mjaftojë edhe një shprehje e fytyrës, ndoshta duke përdorur vetullën e tij të famshme…


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *