• |
ide | kryesore

“Në shtëpitë tona flitet shqip”: Gjimshiti nxjerr krenarinë kombëtare e sfidon shokun e tij Scamacca

Sport
Gjimshiti


“Sigurisht që të tre ndeshjet janë shumë të rëndësishme, por nëse e nisim me këmbën e mbarë, mund të kemi në ndihmë dhe një motivim më shumë për të ecur përpara. Një rezultat pozitiv ndaj Italisë mund të jetë një shtysë më shumë për ndeshjet e tjera”. Kapiteni Berat Gjimshiti vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, për emrin dhe futbollistët që ka, teksa theksoi se është shumë e rëndësishme një nisje e mbarë e Kampionatit Europian, për të shpresuar në një rrugëtim të gjatë të Shqipërisë në këtë kompeticion.

Një Shqipëri e formatit Serie A, me të paktën 7 lojtarë nga kampionati elitar italian, pa harruar edhe 3 në Serie B: “Ka shumë nga futbolli italian, pasi jo vetëm që jemi shumë futbollistë që luajmë në Itali. Edhe trajneri ka një eksperiencë të rëndësishme në Serie A. Luajmë aty dhe njohim shumë mirë kundërshtarët tanë, por e dimë mirë që kemi përballë Italinë, kampionen në fuqi dhe që luan në të tilla kompeticione për të fituar, ndaj duhet të bëjmë kujdes”. Gjimshiti, mungoi në Francë 2016, por është gati të bëjë tani pjesën e tij, për të bërë krenar gjithë Shqipërinë: “Shumë prej nesh jemi lindur apo rritur në vende të tjera, por jemi shqiptarë. Në shtëpitë tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë”.

Lexo më tej“Do të luftojmë për çdo pikë”: Sylvinho hedh dorezën e sfidës përpara betejës me Italinë

Në fund edhe një batutë mbi duelin me shokun e skuadrës te Atalanta Scamacca: “E njoh shumë mirë, pasi kemi luajtur bashkë për një sezon të tërë. Që nga festa kur fituam Europa League, nuk kemi folur bashkë. Por nuk do të jetë me rëndësi Gjimshiti-Scamacca, por në tërësi ndeshja Shqipëri-Itali”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *