• |
ide | kryesore

Italia ka vetëm fitore ndaj kuqezinjve, Ismajli i vetmi që i ka shënuar: koha për të ndryshuar historinë

Sport
Italia


Katër humbje, 7 gola të pësuar dhe vetëm një të shënuar, në precedentët e një historie që nisi shumë vonë, në krahasim me dëshirën për tu përballur njëherë në fushë. E në fakt, Shqipëria e Italia janë përballur në të katër ndeshjet e mëparshme vetëm dekadën e fundit, që nisi me miqësoren 18 nëntorit 2014. Atëherë ekilibrat i prishi vetëm Okaka 8 minuta nga fundi, në një Genoa të mbushur plot me tifozë kuqezi, si për ta bërë të dukej një ndeshje e luajtur në shtëpi.

NË NDESHJE QË KANË RËNDËSI

Nga atëherë kryqëzimet me kombëtaren e fqinjëve të përtej Adriatikut nisën të bëhen të shpeshtë, kur shorti i vendosi në kualifikueset e Botërorit, menjëherë pas kthimit nga prezenca historike në finalet e një kampionati europian, për herë të parë në histori. Në 24 mars 2017 Italia mori një 2-0 me golat e De Rossit me penallti në minutën e 12’ dhe Immobile në minutën e 71’. Kthimi në Loro Boriçi në 9 tetor pati rezultat më të ngushtë por verdict të njëjtë: humbje 1-0 e kuqezinjve, të dorëzuar ndaj golit të Candreva në minutën e 73’ dhe ende asnjë gol të shënuar në portën e mbrojtur nga Buffon.

Sigurisht në atë kohë, skuadra e drejtuar nga Christian Panucci nuk kishte numrin e lojtarëve që ka tashmë e që luajnë në Itali. Sa për një krahasim të shpejtë ishin Strakosha, Berisha, Veseli, Hysaj e Ajeti në Serie A dhe Basha e Memushaj në B. Tani janë 10 lojtarë present në organikën e Shqipërisë që luajnë në Itali, 7 nga të cilët në Serie A.

Lexo më tej: Dita e të vërtetës, Shqipëria përballë Italisë: në Dortmund ngrihet “muri kuqezi”

MIQËSORJA E FUNDIT

E fundit, nga përplasjet, deri në mbërritjen e sfidës së Dortmundit për Euro 2024, është ajo e nëntorit 2022, kur në pankinë ishte një tjetër italian, Edy Reja, e në të cilën për herë të parë në histori morëm kënaqësinë e festimit të një goli kundër të kaltërve. Italia u ndëshkua nga Ardjan Ismajli në minutën e 16’ që shënoi golin e vetëm, deri tani, kundër të kaltërve, që më pas përmbysi rezultatin në Arena Kombëtare në 1-3 me Di Lorenzo në minutën e 20’, e dygolëshin e Griffo në të 25’ dhe të 64’. Tani, trajneri në krye të kombëtares nuk është më një italian, por një brazilian që e njeh gjithësesi mirë mënyrën e punës të tyre. E kushedi, ndoshta historia mund të rishkruhet në Dortmund.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *