Tërmeti 4.8 ballë i ditës së djeshme shkatërroi thuajse gjithçka në disa zona të Italisë.
“Pamë vdekjen me sy”, “Tmerri më i madh kur ke fëmijët në krah e nuk di se ç’do ndodh”, u shprehën disa prej banorëve të qytezave siciliane.
Qyteza Zafferana Etnea me fraksionin e saj Fleri, është një nga më të dëmtuarat.
Ndër rreth 9 mijë banorë që jetojnë në këtë komunë, 186 janë emigrantë shqiptarë.
E mes tyre është dhe shqiptari nga Fieri, Gazmend Hysenaj, me profesion murator.
E përditshmja italiane La Repubblica, përmes korrespondentit të saj në Catania, ka përcjellë historinë e emigrantit shqiptar e të disa banorëve të tjerë të Flerit, të shndërruar në heronjtë e ditës.
“Janë heronjtë e rastësishëm të Flerit, shkruan La Repubblica, qytezës më të goditur nga tërmeti. Në zemër të natës, të mbijetuar nga lëkundja e fortë sizmike, vrapuan të shpëtojnë fqinj, miq e familjarë”.
Një prej tyre është dhe shqiptari nga Fieri , Gazmend Hysenaj, i cili ka mbërritur në Itali vetëm një vit më parë, në kërkim të një të ardhme më të mirë për fëmijët e familjen e tij.
Gazmendi rrëfen se është zgjuar në mes të natës nga të qarat e fëmijëve të tij e ulërimat e komshiut.
“Janë momente që s’mbarojnë kurrë – thotë ai. “Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar”,- thotë Gazmendi. “U mundova ta hap duke e shtyrë me trup, por ishte e pamundur. Në atë moment, një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda ta shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesës”, u shpreh ai.
“Mes gërmadhave të tërmetit në Catania, takova burra e gra të kthyer në heronj të ditës në një natë frike”,- shkruan gazetari. “Një shqiptar, një bukëpjekës e shumë të tjerë kurajozë. Është Italia që reziston”.
Rreth 600 banorë kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e tërmetit. Nga frika se e njëjta që mund të ndodhë sërish, ata e kanë kaluar natën larg zonës së tyre të banimit.