• |
ide | kryesore

Moti i keq ‘mbërthen’ Shqipërinë, Vjosa e Bistrica dalin nga shtrati, në Korçë nis dëbora

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Moti i keq ka përfshirë vendin! Reshjet e shiut dhe dëborës, kanë sjellë disa problematika në zona të ndryshme të vendit. Reshjet e dendura kanë krijuar problem për lëvizjen e qytetarëve si dhe të mjeteve.

Bashkia Vlorë i ka kërkuar qytetarëve të saj që të mos dalin nga banesat pasi është e pamundur që të lëvizin nga përmbytjet që janë shkaktuar në disa zona të qytetit. Ndërsa në Durrës makinat detyrohen që të ecin me shpejtësi të ulët për shkak të dendësisë së ujit që gjendet në rrugë. Për shkak të reshjeve të shumta lumi Bistricë ka dalë nga shtrati duke përmbytur rrugët dhe disa shtëpi në fshatrat përreth.

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati sakaq për shkak të reshjeve të shiut rrezikon të dalë dhe liqeni i Viroit. Sipas kreut të Njësisë Administrative Novoselë, prurjet janë të theksuara aktualisht në zonën e Memaliajt, në lartësinë 1 metër, ndërsa priten prurje pas 10-12 orësh në urën e Mifolit.

Ndërsa qyteti i Korçës nga ana tjetër është mbuluar nga dëbora. Në aksin Boboshkticë-Dardhë, nga kilometri i 7 tek 12-të, njerëzve iu është rekomanduar qarkullimi i mjeteve me zinxhirë, për shkak të ngricave dhe lagështisë.

Ndërkohë në Gjirokastër ka pasur rrëshqitje të dherave në lagjen “Punëtori” ku si pasojë janë vënë në rrëzik banorët e një pallati 5 katësh.

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që të merren masa të menjëhershme për këtë gjendje. Kreu i shtetit i bën thirrje qeverisë që të veprojë menjëherë duke siguruar rezverva ushqimore, të mbrojë jetën e qytetarëve dhe të informojnë në mënyrë transparente dhe në kohën e duhur qytetarët që jetojnë në zonat me rrezik të lartë.

Situata me përmbytjet në vend është paralajmëruar për disa ditë me radhë nga ana e Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *