• |
ide | kryesore

Paralizohen komisionet parlamentare, sherr dhe bojkot për dorëheqjen e Xhafajt

Lajme, Të fundit



Deputetët e opozitës janë paraqitur në komisionet parlamentare me qëllimin e vetëm të denoncojnë skandalin e vëllait të Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafajt, i dënuar në Itali për trafik droge dhe i vendosur në qendër të një investigimi, sipas të cilit ai dyshohet se ishte ende aktiv në trafikun e kanabisit drejt Italisë.

Por ndërsa të gjithë deputetët e opozitës ishin në Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik për të kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, deputetë e PS nuk kanë hyrë fare në sallën e mbledhjeve, për të mos e dëgjuar protestën e opozitës.

Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi deklaroi se vetëm zonja Milva Ikonomi ka njoftuar se është sëmurë, kurse kolegët e tjerë ishin nëpër korridore dhe nuk kishin hyrë në mbledhje “sepse kanë marrë urdhër nga shefi i tyre të mos paraqiten”, siç u shpreh Vokshi.

Dorëheqja e Fatmir Xhafajt është kërkuar edhe në Komisionin e Ekonomisë, ku deputetit Bardh Spahia ka ngritur pyetjen që iu bë kryeministrit Edi Rama nga gazetarja Ambrozia Meta.

“Si ka mundësi që dy ministra të Brendshëm dalin të implikuar në trafik droge?! Si ka mundësi që PS-ja nuk e gjen dot një person për ministrinë e saj më të rëndësishmë të paimplikuar në trafikun e drogës? Edhe njëherë do të ishte në nderin tuaj të distancoheshit haptazi nga implikimi i ministrave tuaj dhe kryeministrit në trafik droge!” u shpreh Spahia.

Me presionin e opozitës është përballur edhe Erjon Braçe, që një ditë më parë nxorri jashtë gazetarët nga salla e mbledhjeve.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku tha se ky është një sulm i vazhdueshëm ndaj gazetarëve nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj në Parlament dhe institucione shtetërore, i cili zanafillën e ka në gjuhën denigruese të kryeministrit Edi Rama.

“Z. Braçe ne u larguam dje nga Komisioni dhe nuk ishim në pjesën e dytë të tij. U njohëm nga media me faktin se dy gazetare të terrenit që janë prezent këtu në Komision ditët e fundit, ju i kërkuat të largohen nga salla. Ju duke qenë gazetar, i kuptoni mirë vështirësitë e tyre për më tepër që të dyja janë zonja.

Nuk është në standardin e këtij Komisioni, të paktën për sa kohë unë jam unë këtu. Nuk është në standardin e asnjërit prej nesh këtu që të largojmë gazetarët. Unë bisedova me to dhe kuptova se ishin tepër të prekura nga ky gjest. Janë të dyja profesioniste. Të dyja nuk e mbulojnë Partinë Demokratike. Asnjëra prej tyre. Nuk më duket normale. Transparencën e munguar të qeverisë ky Komision e ka ofruar deri tani dhe shpresoj të vazhdojë i tillë. Deputetët në këtë Komision nuk ka ndodhur asnjëherë t’i përzë njeri, sepse ky komision ka etikë dhe transparencë. Por ju po e çmontoni këtë besim. Nuk e konsideroj akt normal” tha Tabaku.



4 Comments

  1. Kjo opozita na ka felliq fare nje dy vec ke protestat e kane mendjen,sdine as te komunikojne, asgjee.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *