• |
ide | kryesore

Bleona na zhvesh të gjithëve

Arkiva, Ide
Agon Maliqi.jpg
Ilir Shaqiri dikur përmes këngës ia përkujtonte perëndimit se jemi Evropë dhe ia kërkonte kthimin e borxhit, apo lirinë e mohuar si komb. 
Sot lirinë kombëtare e gëzojmë, por për shkak të disa vlerave që na karakterizojnë, sidomos shtypjes që i bëjmë lirisë së vajzave dhe grave,ne nuk mund të pohojmë se jemi tamam Evropë (të paktën jo Evropë bashkëkohore). 
Këtë borxh ndaj gjinisë së shtypur nuk mund ta kërkojmë askund tjetër përveçse brenda vetes.
Është e vështirë të diskutohet për këtë temë në një mjedis patriarkal ku nuk duket se ekziston as vetëdija elementare për përmasën e pabarazisë gjinore, e lëre më për atë sesa kjo përbën problem, apo se çfarë pasojash shkakton për të gjithë ne. 
Shumica e kosovarëve nuk e shohin situatën si aq shqetësuese sa për ta merituar statusin e një emergjence kombëtare. Por, të dhënat nga terreni, sidomos ato mbi pabarazinë ekonomike që është edhe një prej rrënjëve të pabarazisë së përgjithshme tregojnë se ajo e meriton të jetë e tillë.
Siç pata vënë re në një shkrim të vitit të kaluar, vetëm 2 në 10 vajza dhe gra kosovare janë aktive në tregun e punës (pra, e kanë një vend pune ose e kërkojnë një të tillë). 
Kjo shifër është dyfish më e ulët se në vendet e rajonit (përfshi Shqipërinë) dhe trefish më e ulët se në vendet perëndimore. 
Jemi i vetmi vend në Evropë ku angazhimi i grave në treg të punës është në nivel të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore.
Punët qëndrojnë shumë keq edhe te çështja e zotimit të pronës dhe trashëgimisë. Vetëm 16 për qind të pronave në Kosovë kanë gra që figurojnë si pronare apo bashkëpronare. 
Siç ilustroi së fundmi edhe rasti tragjik i Shyhrete Berishës, të cilën familja e përjashtoi nga shtëpia dhe e drejta e trashëgimisë pas vrasjes së burrit dhe fëmijëve në luftë, gratë në Kosovë në shumë mjedise konsiderohen jo si qenie njerëzore, por si mall për martesë dhe riprodhim të linjës familjare të burrit. 
Përjashtimi i grave nga mundësitë e ekonomisë dhe shoqërisë, përveçse i padrejtë dhe i turpshëm, ka edhe kosto të lartë ekonomike. Studimet tashmë e kanë vërtetuar se sa më e lartë që është barazia gjinore e një vendi, aq më e lartë është rritja dhe zhvillimi i tij ekonomik. 
Por përjashto disa OJQ të grave dhe organizata ndërkombëtare, pakkush sot bën zhurmë rreth kësaj pune. Një pjesë e mirë e shoqërisë mbase jeton me iluzione mbi gjenden reale. Opinioni publik formësohet nga mediet të cilat ndodhen kryesisht në Prishtinë dhe në zona urbane, ku gjendja megjithatë është shumë më e mirë se mesatarja e Kosovës.
Hapja e kësaj teme duket se u ngjallë mjaft siklet dhe neveri burrave, atyre “që kolliten në këtë odë” dhe që e dominojnë skenën politike dhe mediatike. 
Shumica e tyre mbase ndjejnë se “do t’ju sfidohej burrëria” nëse do të angazhoheshin më aktivisht rreth kësaj teme. 
E konsiderojnë feminizmin si çështje të grave, ndërkohë që ajo është një lëvizje për barazi që duhet të na takojë të gjithëve, sidomos burrave.
Shumë të tjerë janë në gjendje të bashkëndiejnë dhe të solidarizohen me të shtypurit anekënd botës,  por jo edhe me të shtypurat që i kanë para syve. 
Në qarqet konservative madje ka ankesa se gratë sot kanë shumë më tepër të drejta se që do të duhej të kishin. 
Ekziston një frymë e theksuar rebelimi kundër nocionit se gruaja mund të trajtohet si personalitet krejtësisht i barabartë.
Te të menduarit e tillë konservator – i cili vazhdon ta infektojë gjithë shoqërinë, madje ata që publikisht ia mbajnë vetes për përparimtarë– qëndron edhe thelbi i problemit.
Tradita arkaike u përcakton gjinive role dhe detyra që nuk përkojnë me vlerat e botës bashkëkohore.
Dhe pa një angazhim më të madh publik në mbështetje të grave, sidomos nga ana e burrave dhe figurave me autoritet, cikli i kësaj tradite primitive nuk mund të thyhet.
Imagjinoni se me çfarë ambiciesh dhe konceptesh mbi botën rriten sot shumë vajza në Kosovë kur rreth tyre shohin gra të nënshtruara, burra që sundojnë, e mos të flasim pastaj për rastet e dhunës, të cilat në disa komuna arrijnë nivele alarmante.
Çfarë modelesh të roleve gjinore kanë në kokë këto vajza? Çfarë modeli krijojnë për rolin e gruas djemtë kur i shohin nënat dhe motrat si qenie inferiore dhe të poshtëruara? Të tillët janë ata që në mungesë të modeleve të tjera, rrezikojnë ta vazhdojnë ciklin shumëshekullor të shtypjes. 
Shumë vajza në Kosovë heqin dorë prej individualitetit të tyre qysh në vegjëli,  duke e përbrendësuar si të mirëqenë nënshtrimin, madje shpesh duke u bërë edhe kundërshtaret më të ashpra të lirisë së grave, në emër të ca botëkuptimeve morale të ndërtuara shekuj më parë nga burra shtypës.
Ndërkohë ato që përpiqen ta sfidojnë mentalitetin dominues në sferën publike përballen me pengesa të panumërta nga ambienti seksist, i cili në imagjinatën e tij i ka të rezervuara dhe të kufizuara rolet për gratë.
Me fjalë të tjera: gratë respektohen si të mira nëse janë shtëpiake dhe nëna, por konsiderohen të dyshimta e deri edhe kurva nëse në hapësirën publike përpiqen të tregojnë sadopak individualitet dhe ambicie, pra nëse bëjnë gjëra që për një burrë do të konsideroheshin normale. 
Në libra akademikë vlerësohen “të përdala” dhe fajtore për dhunimin e tyre, sepse provokojnë.
Në mjedise të punës nuk trajtohen si të denja për role udhëheqëse kur janë të afta, por preferohen si dekor estetik kur janë të bukura.
Nëse qëllojnë të jenë presidente dhe të kritikohen për diçka, u sugjerohet që “të shkojnë dhe të bëjnë pite!”  
Siç na bënë të qartë një grup vajzash dhe grash me fushatën e javës që shkoi, në rrugë përballen me ngacmime seksuale dhe poshtërim të një përmase dhe lloji që shihet pakkund, në mos askund në Evropë.
Kushdo që nuk e sheh ndërlidhjen mes këtyre pengesave në hapësirën publike dhe pabarazisë së përgjithshme me gjasë e ka thellë të përbrendësuar mentalitetin patriarkal.
Javën që shkoi u bë nami pse një artiste mediokre në kërkim të famës doli lakuriq në një tapet të kuq hollivudian me atë “kostumin” pa shije. Por më shumë sesa veten, Bleona me këtë gjest na zhveshi të gjithë neve nga hipokrizia e patriarkalizmit, sepse shpërfaqi atë që burrat për shkak të impulseve natyrore duan të shohin, por që, për shkak të frikës, pasigurisë dhe thirrjes në tradita, përfundojnë duke e shtypur.
/gazetajnk/