• |
ide | kryesore

Kë po sfidon “rilindja” e Prengës

Arkiva, Ide
Astrit-Patozi-PD-1.jpg



Armando Prenga nuk ka pasur kurrë kaq shumë rëndësi, sa sot. As kur ishte në Itali si refugjat, kohë për të cilën ka shumë legjenda, as kur nisi të merret me politikë lokale, as kur e futi Edi Rama në parlament, me siguri jashtë pritshmërisë së tij, as kur qëlloi në disa raste kolegët e vet në ambjentet e Kuvendit, madje as kur plagosi në mes të Qytetit një qytetar të paarmatosur dhe për këtë u arrestua në flagrancë.

Mund të ketë plot njerëz që të pyesin se përse kthimi i tij në sallën parlamentit qenka më i rëndë se dhuna dhe skandalet, që e kanë shoqërur gjatë gjithë këtyre viteve, prej të cilave nuk e kishte pësuar kurrë. Përkundrazi, mendoj se ato e kishin ndihmuar për të qenë "skifter" i panegociueshëm i Edi Ramës në zonën e vet. Dhe i paprekshëm do të kishte qenë ende, nëse nuk do t'i kishte "plasur" një ditë pistoleta në dorë. Mund të ketë edhe plot të tjerë që të mendojnë se përderisa ne kemi për kryetar Kuvendi dikë që është para me zë figurë (citim nga deklaratat e Ramës) nga miliona shqiptarë në një pazar korrupsioni të frikshëm, nuk ia vlen të ndalesh tek një deputet i thjeshtë si Prenga.

Por megjithëse ata janë në të drejtën e vet të pyesin, unë prapëseprapë mendoj se "rilindja" e papritur e deputetit Prenga është një këmbanë e frikshme alarmi, që paralajmëon ditë edhe më të këqija. Eshtë jashtë cdo dyshimi se cdo "Rilindje" që ndodh në këtë vend ngjet me urdhër, porosi ose me bekimin e Edi Ramës, pavarësisht se PS thotë zyrtarisht se e ka përjashtuar deputetin nga radhët e veta. E konfirmon edhe vetë i rikthyeri kur këkron që të mos fajësohet Partia Socialiste për atë që ka bërë ai, ndonëse është zgjedhu dy herë rresht deputet me firmën e Edi Ramës. Cuditërisht ai nuk ka dhënë dorëheqjen, sic bëri një koleg i tij nga e njëjta zonë, disa muaj më parë, dhe vështirë të të besohet se ka pasur merakun që të votojë patjetër reformën për drejtësi, ndaj edhe do që të jetë me cdo kusht pjesë e parlamentit.

Cështja është se kujt po i bën karshillëk rikthimi gati triumfal i Armando Prengës në sallën e kryeinstitucionit të Republikës. Ata që mendojnë vetëm opozitën, e cila ka qenë edhe e lënduar direkt prej tij, e kanë gabim. Është më e rëndë se kaq, sepse, jo thjesht Prenga, por vetë Edi Rama, po përpiqet sot t'i imponohet gjithë shoqërisë për një standart të nëveritshëm, ku të fortët e rrugës bëjnë ligjin në politikë. Pavarësisht se ka qenë aksioni kryesor i opozitës në këto vite, dekriminalizimi mori vlerën që ka sot, sepse përfaqësonte një shqetësim të fortë të publikut shqiptar. Ndaj edhe pati sukses.

Por pas më shumë se një vit betejë të gjithanshme politike, ku u përfshinë me të gjitha batëritë dhe partnerët ndërkombëtarë, sot jemi kthyer sërish  në pikën e nisjes. Ndaj edhe rasti Prenga është një sfidë edhe për të gjithë ata politikanë, diplomatë apo negociatorë të huaj, që u investuan në marrëveshjen politike, e cila solli si produkt final ligjin e dekriminalizimit. Nuk besoj se është e tepërt nëse atyre u këkrohet që të shprehen për këtë cështje, ndonëse e di mirë që nuk e kanë detyrim.

Unë i mirëkuptoj të gjithë ata kolegë, që duke u ndjerë të fyer nga sapo ndodh, kanë menduar se në parlament nuk mund të qëndrohet duke pasur në krah deputetë të inkriminuar. Por problemi është se ajo sallë nuk duhet të na rrijë ngushtë neve, por Armando Prengës dhe të tjerëve si ai. Sepse ne nuk kemi zënë vendin e dikujt tjetër në parlament, por të gjithë "rekordmenët kriminalë" të Edi Ramës, jam i sigurt që po.

Ndaj edhe beteja për ta pastruar parlamentin dhe politikën në përgjithësi nga zgjatimet e krimit në Shqipëri, nuk duhet të konsiderohet, as e tejkaluar, dhe as e mbyllur. Ndërkohë mendoj se ne nuk duhet të na dekurajojnë "fitoret" e përkohshme të kryeministrit, qofshin ato dhe kaq të shëmtuara, sa c'është rikthimi i Armando Prengës.

Për fat të keq, unë nuk besoj se pas kësaj ka më vend të shpresohet tek ndonjë efekt cudibërës i reformës në drejtësi, edhe sikur kjo e fundit të miratohet një ditë. Ndonëse, edhe vetë mbërritja e Prengës në vendin e punës, si një gjest i qartë force dhe arrogance, i shton dyshimet që kjo mrekulli të ndodhë.

Por le ta marrim për një cast të mirëqenë, që do të ketë reformë në drejtësi. A ka shqiptar të besojë sot se ato ligje mund të zbatohen ndonjëherë, kur sheh sot se si deputeti cub i Edi Ramës, sapo doli nga qelia, pasi shtiu me pistoletë në mes të pazarit, erdhi në parlament dhe po na mban të gjithëve leksione për luftën kundër krimit? /Nga Astrit Patozi – Shkruar për Lapsi.al