• |
ide | kryesore

Pse Rama hezitoi të përmendë Metën?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Në të parën dalje të gjatë publike që pas kërcënimit me rrëzimin e qeverisë, që i bëri dje Ilir Meta, Edi Rama tregoi dy gjëra.

Së pari ai dëshmoi se ndjehet i trembur nga shantazhi i partnerit të tij të koalicionit. Ndërsa të gjithë shqipëtarët prisinin me padurim se si do ti përgjigjej ai propozimeve të djeshme të artikuluara në selinë e kuvendit, Rama bëri sikur ato nuk ekzistonin. Ai nxori paraditen e së hënës dy – tre nga njerëzit e tij të skalionit të dytë, por vetë nuk pati, as argumentat dhe as guximin ti jepte një përgjigje Ilir Metës.

Konkluzioni i tjetër që mund të nxirret nga fjala e tij është se pavarësisht nga heshtja, Edi Rama po përgatitet për përballjen me vëllain e tij armik. Megjithëse nuk foli asnjë fjalë, ai e di se rreziku i prishjes së koalicionit, i rrëzimit të qeverisë dhe i zgjedhjeve të parakohëshme është i madh. Pikërisht për këtë ai ka nisur emisarët e tij që të rekrutojnë deputetët që do ti mbajnë në këmbë shumicën parlamentare.

Pikërisht për këtë, ai po përgatit edhe tezat politike të një përballjeje të afërt.

Ndjekja me kujdes e fjalimit të tij, para sudentëve, përbënte embrionin e parë të fushatës propagandistike që po ngjizet për pas 21 korrikut. Ai po mëton ta shndërrojë dështimin e reformës në një armë për luftën e ardhshme.

Në fjalët e tij ndihej qartë ideja se ai qe me perendimin dhe kundërshtarët e vet kundër ShBA-së dhe BE. Se ai qe me ata që nuk janë angazhuar kurrë kaq fort me Shqipërinë që pas sjelljes së operacionit Alba në 1997. Se ai qe në të njëtën linjë më mesazhet që kanë ardhur nga Shtëpia e Bardhë, kancelaria gjermane apo presidenca franceze. Se ai as nuk e imagjinonte dot se si mund ti vihej kufiri te thana ndërkombëtarëve që janë ofruar për të situr gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Mjafton që ta shikoje nga ky këndvështrim për të kuptuar se Rama po rreket të përvijojë një vijë të re ndarëse në politikën shqiptare: sikur ai dhe të tijët që janë pro perendimorë po ndeshen me të tjerët, Berisha, Meta dhe Basha që janë kundër tyre.

Megjithëse ai nuk e përmendi asnjëherë as vëllain armik dhe as propozimin e tij për qeveri teknike, fjalimi i kësaj të hëne qe shenja e qartë se ai po përgatitet për luftë. Për një betejë jo vetëm me numra, por edhe me teza politike, duke e renditur Metën në aleancën anti BE&ShBA.

Natyrisht, është çështje tjetër se sa do ta besojnë shqiptarët fabulën e Ramës perendimor, që po ia dhurojnë në mënyrë të pamerituar, PD dhe LSI.  Eshtë çështje tjetër se sa ky imazh mund të përputhet me korrupsionin galopant, lidhjet me krimin, blerjen e mediave dhe autoritarizmin e tij në rritje. Kjo mbetet për tu parë.

Por, nëse do të ketë betejë politike dhe zgjedhje, Rama tregoi se do të mundohet ti manipulojë ato. Ai nuk do një debat real për ekonominë, punësimin, investimet e huaja dhe largimin e trurit, pra për mënyrën si ka qeverisur këto tre vjet. Në vend të tyre ai po kërkon një plebishit mes atyre që janë properëndimorë dhe atyre që janë anti. Kjo është edhe përgjigjja e tij e kamufluar për Metën. (Lapsi.al)