• |
ide | kryesore

Dyzimi i Bashës me BE

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Lulzim Basha është përpjekur ti devijojë sot një pyetjeje të drejtëpërdrejtë të gazetarëve nëse partia e tij e do apo jo hapjen e shpejtë të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. i detyruar të përballej me kuriozitetin e reporterëve, pas amendamenteve që të dërguarit e tij kishin depozituar në Bruksel, ai ka folur për sytë e Taulant Ballës, për përputhjen e kërkesave të opozitës me ato të BE, për interesin e qytetarëve, pa i dhënë përgjigje dilemës themelore:
 
A e mbështet apo jo PD, hapjen e këtyre negociatave? A mendon ajo se ky është një vendim që duhet marrë tani dhe menjëherë?
 
Qëndrimi që mbajti ai sot në Tiranë dhe ai që mbajtën deputetët e PD në takimin me zyrtarët e Brukselit, të lënë shijen e një déjà vu-je të keqe. Ato të kujtojnë qëndrimin e Edi Ramës në opozitë, kur ai donte të bllokonte rrugën drejt BE-së, duke e kondicionuar atë me zgjedhjet e qarkut të Fierit.
 
Në një farë mënyre atëherë Rama ishte në të drejtën e tij. Ai nuk donte ti jepte një bonus përpara zgjedhjeve qeverisë së telendisur të Sali Berishës. Ai mohonte ta quante gjendjen e vendit normale për sa kohë batërdia korruptive ishte shtrirë ngado, për sa kohë që minohej hetimi i 21 janarit, për sa kohë shumica e djathtë ish tallur me angazhimin e marrë përpara europianëve, për të bërë një lloj transparence për zgjedhjet e vitit 2009.
 
Pra, katër vite më parë, pavarësisht se si pretekst përdorte Fierin, Edi Rama ishte i bindur, se nuk donte ti lejonte vendit ngjitjen e një shkalle më sipër në përparimin drejt BE-së.
 
Në këtë situatë është edhe Basha sot. Ndërkohë që ai flet përditë për kriminalizimin e politikës, për zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, për drogë që ka marrë dhenë, ai nuk mund të pranojë që të gjitha këto të zerohen nga tamburët e festës së një çertifikate besueshmërie që mund të vijë nga Brukseli.
 
Deri këtu, ashtu si Rama dikur, ai është në të drejtën e tij.  Por ai po tregohet po aq i pasinqertë sa rivali i tij dikur, duke gjetur sebepe fallco për një çështje që kërkon prononcim të drejtpërdrejtë politik: “Po” apo “Jo” hapjes së negociatave tani?  
 
Në këtë kuptim, duke iu fshehur kësaj pyetjeje bazike, kreu i PD përforcon paragjykimin e një opozite që ndryshe flet dhe ndryshe mendon. Ai rrezikon të prodhojë fabulën e zgjatur të reformës në drejtësi, për të cilën të gjithë e kuptuan se PD-ja nuk e donte, pavarësisht se çfarë kumtonte në tribuna.
 
Një sjellje e tillë, jo vetëm krijon konfuzion tek elektorati i djathtë, por mbi të gjitha, ajo çorodit një rreth më të madh se ai i votuesve të opozitës, të cilët janë ndarë prej kohësh me Rilindjen, por tek të cilët as PD-ja e Bashës nuk krijon besim.
 
Për të shmangur këtë dyshim nervëshkatërrues, Lulzim Basha ka vetëm dy rrugë.
 
Ose të dalë hapur dhe të thotë së ne gjendjen ku lëngon vendi Ramës nuk i duhet dhënë një bonus nga Brukseli.
 
Ose në të kundërt, të besojë, ashtu sikurse i sygjeron Majlinda Bregu se shtimi i monitorimit nga BE, vetëm mund ta kufizojë pushtetin delirant dhe kleptokrat të Ramës. Dhe nëse mendon kështu nuk ka pse i vë asnjë shkop nën rrota hapjes së negociatave.
 
Rruga e tretë, ajo e të folurti ndryshe dhe e të vepruarit ndryshe, që u pa edhe sot, vetëm sa e dëmton opozitën.
 
Sepse ajo jep imazhin e një PD-je hipokrite që mundohet të krijojë një realitet të ndryshëm nga ai që shohin të gjithë.
 

Sepse ajo vizaton një Bashë të lëkundur në vendimarrje. Sepse ajo në fund të fundit i përforcon të gjithëve idenë, se nuk ka ndonjë ndryshim mes Ramës së djeshëm dhe Bashës së nesërm.   (Lapsi.al)