• |
ide | kryesore

Çfarë tregon heshtja e Saimir Tahirit për 860 mijë eurot që iu gjetën Orest Sotës

Lajme, Të fundit



Saimir Tahiri nuk është politikani që mbetet kollaj pa fjalë. Në situata të tjera akoma më të rënda për të, madje kur rrezikohej jeta e familjarëve të tij, Tahiri nuk ka heshtur.
Me denoncime dhe sulme publike, fjalime dhe konferenca për mediat është përplasur gjithnjë me kundërshtarët e tij publikisht. Jo veç për bindjen e verbër, por edhe për oratorinë, Edi Rama e katapultoi në majat më të larta të shtetit, talentin që e zbuloi vetë.
Por si asnjëherë tjetër, Saimir Tahiri ka vendosur të mbyllë gojën. 860 mijë eurot dhe patentat që iu gjetën Orest Sotës në makinë, i kanë rënduar pozitat e Tahirit në public, e megjithatë ai vazhdon të heshtë.
Nga dita e premte, kur Lulzim Basha e plasi skandalin në media, e deri të hënën kanë kaluar 3 ditë. Saimir Tahiri hesht, duke i lënë vend interpretimit se përse ka ndryshuar strategji ish ministri i Ramës.

1) Tahiri pret që avokati i tij, Artan Hajdari të koordinojë alibinë e tij me atë të Orest Sotës. Jo thjesht për dy patentat e skafit, por edhe për 860 mijë eurot. Tahiri dhe Orest Sota mbrohen nga i njëjti avokat, megjithëse prokuroria nuk i lidh çështjet e tyre.

2) Tahiri ka vendosur të heshtë për të mos i dhënë më material medias dhe opozitës, me shpresën se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë do të fashitet debati për lidhjet e tij me Habilajt. Në këtë mision e ndihmon Edi Rama, që bombardon opinionin publik me çështje që ngjajnë si inskenime për të tërhequr vëmëndjen mbi veten.

3) Tahiri e ka të qartë se arrestimi i Orest Sotës nuk është një rastësi. Postblloku që u ngrit në Elbasan dhe kontrolli i makinës, ku u gjetën paratë dhe dokumentat e tij personale nuk mund të jetë rastësi. Kjo do të thotë se ai vetë është në përgjim dhe çfarëdo të thotë në publik sot, mund të përdoret kundër tij nesër.

4) Ditën kur Lulzim Basha nxorri në media të dhënat për arrestimin e Orest Sotës ishte në Tiranë Marko Miniti, Ministër i Brendshëm i Italisë. Miniti, i mbiquajtur nga gazetarët e huaj si “Zoti i spiunëve” solli në Tiranë një dosje me të dhëna konkrete për kokat e trafikut e drogës. Me dosjen u njoh Fatmir Xhafaj, që me siguri ka raportuar në fundjavë tek kryeministri. Edhe vetë Rama, njësoj si Tahiri nuk ka dhënë asnjë koment për kapjen e 860 mijë eurove në makinën e Orest Sotës, bashkë me dokumentat personale të Tahirit.

5) Tani radhën për të lëvizur e kanë prokurorët. Pasi u vetëofrua të merret në pyetje, Tahiri pret se cila do të jetë lëvizja e hetuesve për dosjen e tij, në një kohë që mazhoranca pas pak javësh do të shkarkojë Adriatik Llallën. Prokurorët kanë deklaruar se do të studiojnë materialet që kanë ardhur nga Italia, pastaj do ta thërrasin sërish për ta marrë në pyetje.© Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *