Nuk ka zgjatur shumë paraqitja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ish-ministri është thirrur për të dëshmuar nga gjyqtarja Liliana Baku dhe u shoqërua nga avokati i tij, Maks Haxhia.
Ish-ministri Tahiri do të duhet të përgjigjet për të gjitha çështjet që kanë dalë nga përgjimet e Habiljave dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria. Në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i bllokoi pasaportën Saimir Tahirit, pjesë e argumenteve janë edhe disa përgjime të reja, që janë paraqitur si provë nga Prokuroria.
Kjo masë u mor nga Krimet e Rënda me kërkesë të prokurorisë, pas analizimit të dosjes së dytë prej afro 2 mijë faqesh që mbërriti nga Italia. Në këtë dosje Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët, lakojnë emrin e ish-ministrit, i cili nga përgjimet rezulton se ka përfituar dhurata të majme nga grupi kriminal.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga analizimi i provave dhe fakteve, rezulton se Saimir Tahiri në kohën kur ushtronte funksionin e ministrit të Brendshëm, ka përkrahur Moisi Habilajn dhe bashkëpunëtorët e këtij të fundit, në aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të narkotikëve.