• |
ide | kryesore

Dosja/ Si u kap vrasësi grek me pagesë pas ekzekutimit të Devi Kasmit

Lajme, Të fundit

Efthymios Efthimiou, ish-speciali grek i arrestuar si i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Devi Kasmit, është orvatur rreth orës dy pas mesnate të çajë rrethimin dhe të largohet, kur agjentët e policisë vendosën të ndërhyjnë në shtëpinë e Elton Halipajt. Halipaj nuk është kapur brenda banesën së tij, pasi qëndronte jashtë saj duke bërë shërbim roje brenda një makinë të tipit Benz me targë AA 622 KI, ku qëndronte së bashku me Malvin Dinellarin, dhe ky i arrestuar.

Sipas dosjes së prokurorisë të publikuar nga “Shqiptarja.com”, policia e Tiranës kishte rënë në gjurmët e ekzekutorit të Devi Kasmit, duke gjurmuar fijet e shitjes së një furgoni tip “Benz Vito”, targat e të cilit ishin fiksuar nga një kamera në vendin e krimit, ku duket që Efthymios Efthimiou, braktis motorin tek një person tjetër, dhe largohen nga zona pikërisht me këtë furgon.


Policia kishte rënë në gjurmët e blerësit të këtij furgoni, i cili ka qënë Elton Halipaj, dhe se prej gati 48 orë ky shtetas dhe banesa e tij është mbajtur në vëzhgim të plotë. Me rënien e natës, rreth orës 02:00 policia ka vendosur të ndërhyjë duke kapur fillimisht brenda në makinë teksa bënin roje shtetasit Elton Halipaj dhe Malvin Dinellarin. Por teksa ata janë ndaluar nga policia, prezencën e kësaj të fundit e ka konstatuar dhe greku Efthymios Efthimiou, i cili ka tentuar të largohet nga banesa, duke shpresuar se do çante rrethimin policor. Por pas disa të shtënave me ajër nga policia, greku nuk bëri asnjë rezistencë.

Ndërkohë nga kqyrja e aparateve telefonikë celularë të personave në hetim Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari, rezulton se të dy këta persona kanë komunikuar dhe kanë në listën e numrave të rezervuar në telefonat e tyre, të njëjtin numër telefoni 0699467XXX, ku personi nën hetim Elton Halipaj e ka shënuar me emrin “Thimi Gr”, dhe në seancë në apel deklaroi se i përket personit nën hetim Efthymious Efthymiou, ndërsa Malvin Dinellari e ka të regjistruar në telefon po këtë numër, me emrin “Filos”.

Pistoletat u gjetën me plumba në fole

Në datën 29 janar 2018, ora 18:20, është njoftuar policia gjyqësore se në rrugën “Kongresi i Manastirit”,është vrarë me armë zjarri Devi Kasmi. Me marrjen e njoftimit, grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes në rrugën “Kongresi i Manastirit”, përshkruar hollësisht në procesverbalin e këqyrjes së vendngjarjes.

Pranë trotuarit të pallati 7-katësh janë gjendur të parkuara disa automjete, dhe mbi trotuar është gjendur i shtrirë trupi i viktimës Devi Kasmi. Buzë trotuarit gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është fiksuar një çantë lëkure ngjyrë e zezë me mbishkrimin “Luis Viton” dhe brenda kësaj çante është gjendur një armë zjarri pistoletë e tipit “Glock” me numër CGF552, me fishekë në fole, me kapsollë të pa goditur me makerim G.F.4.9 max 19.

Gjithashtu brenda kësaj çante janë gjendur sende të ndryshme, para dhe një kartë identiteti në emër të Kasmi Devi. Në asfalt poshtë mjetit Renault me targë AA 314 BH është gjendur një armë zjarri pistoletë e markës “Glock” me numër LXD 597, me fishekë në fole, si dhe karikatori i vendosur në armë me 18 fishekë të kalibrit 9 mm.

Pranë këmbës së majtë të viktimës, afër një peme është gjendur dhe sekuestruar një gëzhojë ngjyrë bronzi me kapsollë të goditur, dhe në trotuar pranë viktimës janë gjendur dhe dy gëzhoja me kapsollë të goditur, dhe një gëzhojë tjetër e në vendin e ngjarjes, pranë parakolpit të automjetit Renault me targë AA 314 BH, në asfalt, të cilat janë përshkruar hollësisht në procesverbalin e këqyrjes së vendngjarjes dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës.
Pasaporta në emër të Mustaf Berishës
Nga ana e policisë gjyqësore është vendosur kryerja e akteve të ekspertimeve të ndryshme, sikurse ai tekniko-balistik në lidhje me armët, gëzhojat dhe predhat e gjendura në vendin e ngjarjes, ekspertimit biologjik për mostrat e gjakut të marra në vendin e ngjarjes, si dhe ekspertimit daktiloskopik vlerësues, për gjurmët papilare të marra nga automjeti tip Ford me targë AA 318 SB.

Policia gjyqësore ka ushtruar kontroll në banesën e viktimës devi Kasmi, e cila ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes, ku gjatë kontrollit janë gjetur dy pako me përmasa 22 x 25 cm me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë gjithsej 2884,8 gramë, si dhe një qese e hapur ku brenda saj ndodhej lëndë pluhur e dyshuar narkotike e llojit kokainë në gjendje të ngurtë, e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë të përgjithshme 86,8 gramë.

Po kështu, gjatë kontrollit të banesës është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës një armë zjarri automatik dhe 2 karikatorë me fishekë si dhe 3 krehra me fishekë të kalibrit 7,62 mm, si dhe një peshore elektronike e një pasaportë kosovare me emër Mustaf Berisha, dhe kartë identiteti me këtë emër. Në lidhje me sendet e sekuestruara është vendosur kryerja e akteve të ekspertimit kimik dhe tekniko-balistik.
Dëshmia: Greku bisedoi në anglisht me Kasmin
Në vijim, nga policia gjyqësore janë marrë deklarime nga shtetas të ndodhur në vendngjarje, me cilësinë e personit që tregon rrethanat e hetimit. Nga deklarimet e tyre ka rezultuar se kanë dëgjuar të shtëna, krisma arme, dhe në këtë kohë, pas krismave, në rrugicë ka kaluar një motor me shpejtësi me drita të forta, i cili ka marrë drejtimin për nga unaza.

Nga deklarimet e dhëna nga shtetasja A.Sh, banore e pallatit ku është vrarë viktima, ndër të tjera ka deklaruar se ka dëgjuar dy të shtëna dhe në pak sekonda ka dëgjuar edhe tri të shtëna të tjera, pasi ka shkuar te ballkoni i shtëpisë, ka parë një person që ndodhej me motor të ndezur, me krahun e drejtuar drejt viktimës, dhe menjëherë ky person është nisur me shpejtësi të madhe në drejtimin djathtas nga semafori.

Mbi deklarimet e marra nga policia gjyqësore, me cilësinë e personit që tregon rrethanat e hetimit, shtetasi B.D. ka deklaruar se Devi (viktima), para ca ditësh ka parë një person me kapuç në kokë, i cili ka kaluar nga palestra e tij dhe pasi ai e kishte ndaluar e kishte pyetur se çfarë kishte, ai i ishte përgjigjur anglisht.
Blerja e furgonit për largimin e grekut
Po kështu, nga ana e prokurorit janë këqyrur dhe administruar pamjet filmike të sekuestruara nga policia, pranë subjekteve të ndryshme tregtare pranë vendngjarjes, ku ka rezultuar se autori i vrasjes së viktimës Devi Kasmi, pas ngjarjes ka hipur në një makinë të tipit Benz Vito (Furgon) me ngjyrë të bardhë, me targë AA 231 JH.

Nga verifikimi i targave në sistem, ka rezultuar si pronar shtetasi Alban Deda, banor në qytetin e Fushë-Krujës. Pas shoqërimit të këtij shtetasi në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ai ka deklaruar se këtë automjet e ka shitur në datën 17 janar 2018, sipas kontratës së shitjes.

Ai ka deklaruar se pasi ka takuar dy djem të moshës rreth 25 vjeç, të gjatë rreth 170 cm, me flokë të errëta, të cilët u prezantuan si blerës, kanë rënë dakord për çmimin e shitjes prej 4.000 euro. Pasi kanë shkuar te noterja, personi që ishte në drejtim të mjetit i tha noteres se do bënin një akt-shitje në emër të personit tjetër, dhe jo të atij që pagoi lekët, ndërkohë që ky person i ka deklaruar se e ka punëtor.
Vëzhgimi i shtëpisë dhe largimi i grekut
Sa më lart, pas verifikimeve të bëra në lidhje me blerësin e automjetit sipas kontratës së shitjes, shtetasi Elton Halipaj, është mbajtur në vëzhgim banesa e këtij shtetasi dhe rreth orës 02:00 të datës 2 shkurt 2018, nga punonjësit e forcës së posaçme operacionale në afërsi të shtëpisë së Elton Halipajt, në një makinë të tipit Benz me targë AA 622 KI, është kapur shtetasi Elton Halipaj dhe i ndaluari Malvin Dinellari.

Më pas është kapur duke u larguar nga banesa e shtetasit të ndaluarit Elton Halipaj, një shtetas grek me emrin Efthymios Efthimiou, i datëlindjes 10 shtator 1976, i dyshuar si autori i vrasjes së shtetasit Devi Kasmi.

Në deklarimin e tij shtetasi Elton Halipaj, ndër të tjera ka deklaruar se ishte punëtor te prona e shtetasit Aurel Hoxhallari, dhe së bashku me shtetasin Malvin Dinellari ka bërë kontratën në noteri për blerjen e automjetit furgon Benz me targë AA 231 JH, në emër të tij, por lekët i ka paguar Aureli. Gjithashtu ai shpjegon se në këtë banesë qëndronte edhe një shtetas grek, i cili kishte ardhur para një muaji dhe ishte shoku i Aurelit.

Një kg tritol C4 u çaktivizua nga eskpertët

Policia gjyqësore ka ushtruar kontroll në banesën e Aurel Hoxhallari në rrugën Sulejman Delvina, ku nuk është gjendur ndonjë send i paligjshëm. Më pas është ushtruar kontroll në banesën tjetër të tij që ndodhet në kodrat e Mëzes-Tiranë, ku përdorej për mbledhjen e agrumeve të ndryshme, dhe ka rezultuar se ngjitur me banesën gjendej një papafingo me konstruksion metalik, pranë të cilit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automjeti i tipit “Benz Vito” ngjyrë e bardhë me targë AA 231 JH, me të cilin autori i vrasjes së viktimës Devi Kasmi, është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjatë kontrololit është gjendur një mekanizëm metalik në formë cilindrike ku pjesa fundore e së cilës është material magnet me ngjyrë të zezë, ndërsa pjesa tjetër është me ngjyrë alumini me diametër 14 cm dhe lartësi 7 cm, brenda së cilës gjendej një lëndë e brumtë e dyshuar C4 me peshë rreth 1 kg, e lidhur me dy radiomarrëse-dhënëse dhe një kapsollë elektro-detonatore të gatshme për shpërthim, të lidhura me anë të një natribani,e cila i çaktivizua nga ekspertët antieksploziv.

Po kështu, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 102 pako me natriban me ngjyrë kafe të errët, ku nga aroma është dyshuar të jetë lëndë narkotike e llojit “cannabis sativa”, me peshë 115,637 (njëqind e pesëdhjetë presje gjashtëqind e tridhjetë e shtatë) kilogram. Gjithashtu janë sekuestruar me cilësinë e provave materiale dhe një trup pistolete, material plastik i fortë me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin GLOCK MADE in AUSTRIA, me numër serie 231457, dy pajisje metalike njëra në formë cilindrike, dhe tjetra në formë unaze të filetuara nga brenda tyre, një krehër fishekësh bosh me mbishkrimin GLOCK 9 mm;

një kavanoz qelqi i mbyllur me kapak ku brenda tij gjendeshin fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm; një qese plastike me ngjyrë të bardhë brenda të cilit gjendet një pjesë metalike si ajo e djepit luajtës të armëve me mbishkrimin GLOCK AUSTRIA 9 x 19.

Janë gjetur 8 kallëpe me lëndë të dyshuar eksplozive si ajo e tritolit me peshë 400 gramë secila, dy kallëpe të dyshuara tritol me peshë 200 gramë secila, si dhe disa copa lëndë e dyshuar tritol të thyera të vendosura në një çantë të zezë, 5 granata dore kundër këmbësorisë të mbështjella me letra, ku dy prej tyre janë gjendur me ndezës në trup, katër kuti plastike me formë drejtkëndore brenda të cilave gjendeshin kapsolla detonatore, ndezës dhe shkrehës minash granatash, tre copa fitili zjarrpërcjellës me ngjyrë të zezë i dëmtuar pjesërisht, tre kuti plastike me ngjyrë qumështi në formë cilindrike, njëra nga të cilat ka kapsolla elektro-detonatore, tjetra ka ndezës granatash, ndërsa kutia e tretë ka 7 kapsolla detonatore dhe një ndezës granate;

një shishe plastike gjysmë litroshe, brenda së cilës kishte ndezës granatash; ndezës minash dhe kapsolla detonatore;dy pako me lëndë në formë brumi me ngjyrë të bardhë (C4), njëra e mbështjellë në një qese me natriban ngjyrë kafe me peshë rreth 1 kg, ndërsa tjetra është e vendosur në një qese transparente me peshë rreth 500 gramë; një sasi lënde me ngjyrë të bardhë në formë brumi, me peshë rreth 500 gramë, e mbështjellë me natriban ngjyrë kafe;

tre predha granatahedhës kalibër 40 mm, me mbishkrimin 409443-72-22 model 69, të vendosura brenda një cope beze në formë këmishe; një armë zjarri e tipit Snajper me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin REMINGTON MODEL 700, me nr. serial 06868563, me këmbalec dhe dylbi të vendosur në trupin e armës, dylbia ka nr.serie 200197, me rripin e tij ku janë 4 fishekë kalibri 7 mm, me kapsollë të pagoditur, 10 armë zjarri luftarake model 7,62 mm. Në lidhje me provat materiale të sekuestruara, nga ana e prokurorit janë marrë vendimet e ekspertimit kimik dhe teknik-balistik.
Kasmi program që sapo lexonte SMS e fshinte
Mbi bazën e verifikimeve të kryera nga policia gjyqësore, ka rezultuar se personi me motor në vendngjarje në momentin e krimit, ka qenë shtetasi Mario Meshini, duke bërë ndalimin e tij, i dyshuar si bashkëpunëtor në rolin e ndihmësit, në kryerjen e veprës penale të vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.

Sipas procesverbalit të këqyrjes së aparatit celular të viktimës, në adresën e personit nën hetim “Mario kunati Arjanit”, ka rezultuar i instaluar një program, që pasi lexon mesazhin e ardhur, mesazhi fshihet. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, është bërë ndalimi me iniciativë nga policia gjyqësore i shtetasve:

Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari, shtetasit grek Efthymios Efthimiou, si dhe Elton Halipaj, të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Përkrahje të autorit të krimit”, “Krijimi i kushteve për kryerjen e veprës penale”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Moskallëzim të krimit”.
d.c./shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu