• |
ide | kryesore

Pashk Laska: Në burg ose unë, ose Xhelal Mziu…

Sport



Pas deklaratës së kryebashkiakut të Kamzës, ku përpara fillimit të ndeshjes, në një prononcim për “Panorama Sport” parashikoi rezultatin e saktë të ndeshjes Vllaznia-Laçi, ka reaguar edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska.

Kjo ishte hera e dytë që Mziu parashikonte saktë rezultatin e një ndeshje, pasi më parë kishte parashikuar Teuta-Laçi. Në të dyja herët protagonist ka qenë skuadra e Laçit.

Parashikimet e Mziut kanë ngritur dyshime të mëdha në opinionin sportive.

Nga ana tjetër, president i Laçit, Pashk Laska ka reaguar ashpër, ku në një intervistë për “Sport Ekspres” deklaron se do e çojë një gjyq presidentin e Kamzës dhe se shteti duhet të veprojë në lidhje me këtë ngjarje.

“Nëse thuhet diçka e tillë duhet çuar deri në fund, duhen thënë të gjitha.

Ose jam unë fajtor, bashkë me Laçin, ose Mziu të mbajë përgjegjësi.

Unë e kam paditur në gjykatë Mziun.

Pse nuk shkon ky zotëria të japë prova në Prokurori?

Herën e parë në ndeshjen ndaj Teutës nuk ia vura re, ndoshta ishte i ngarkuar emocionalisht, por kësaj here do të thotë që ai e ka personale me ne.

Kjo histori më ka stresuar shumë.

Prokuroria duhet të interesohet dhe të përfshihet në këtë ngjarje.

Fillimisht mendova që ishte shpikje gazetarësh, më pas kuptova se e ka thënë realisht Mziu, i cili mesa duket e ka përdorur si strategji për të venë në vështirësi ekipin tim.

Ky është sporti ynë, ose ta pastrojmë dhe të shkojmë në prokurori e kush ta meritojë burgun, ose secili të flasë në tym dhe të akuzojmë gjithë ditën njëri-tjetrin.

Si mund të dalë dikush e të bëjë thirrje publike që të vendosen baste për ndeshjen e Superiores? A ka shtet këtu?

Pse nuk e thërret kush këtë person me pushtet që jep deklarata të tilla, për çfarë i jep, çfarë di dhe kush ia ka thënë?”, u shpreh Laska.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *