• |
ide | kryesore

Krizat e Skukës, bari natyral dhe gafa e Mikuliç: justifikohet Shehi, Cungu: “Fajin e penalltisë e kam unë”

Sport
Shehi



“Të dalësh barazim është shumë më mirë se të mundesh. Futbolli ka situata që nëse do ta kishim zgjidhur më mirë, do ishte ndryshe. Por lodhja kushtëzon”. Orges Shehi, tekniku i Partizani i referohet konsumit të të tijve me 10 lojtarë në barazimin 1-1 me Laçin. Të kuqtë panë të përjashtohet Cara e më pas humbën edhe Skukën të zëvendësuar. “Nuk ka dëmtim Skuka, ai ka 3 ditë që vuan nga stomaku. Ndaj erdhi edhe ndërrimi se shpesh edhe në stërvitje, kishte kriza në stomak”.

Shehi pastaj foli për Mikulic që shkaktoi penalltinë dhe rrezikoi t’i shkaktonte humbjen skuadrës (Qirko shpëtoi rezultatin). “Mikulic ka luajtur aq sa e kemi parë të arsyeshme, se patjetër ka nevojë të përshtatet. Çdo lojtar bën gabime. Detyra ime është t’i inkurajoj, të mos hedh poshtë asnjë dhe në momentin më të keq të tyre. Duhet t’i inkurajoj e jap mbështetje”, tha tekniku pas ndeshjes.

46 vjeçari pastaj e zgjeroi problematikën e mungesës së rezultatit në një pikë pa kthim, sepse vështirë që bari artificial i fushave të Arenës së Demave të ndryshojë në natyral: “Terreni dihet, kemi vështirësi me atë ku stërvitemi dhe vijmë në bar natyral një herë në javë dhe kjo ka kosto. Por duke pasur parasysh që luajmë të dielën me Vllazninë, mendojmë që të përgatitim sa më mirë skuadrën”.

CUNGU: “MËKAT, LUAJTËM MË MIRË SE PARTIZANI”

“Natyrshëm që është mëkat, luajtëm më mirë se Partizani, krijuam raste. Në rastin e kartonit të kuq, menduam se fituam ndeshjen por bëmë gabim dhe pësuam gol. U bë e dyta herë edhe me Egnatian që nuk po arrijmë me penallti të shënojmë, ndoshta duhet me seriozitet tek lojtarët që shkojnë të topi”. Penalltia e humbur nga Ujka është keqardhja e madhe e teknikut të Laçit Armando Cungu.

Lexo më tejVideo/ Partizani me 10 lojtarë, 1-1 në Laç: Qirko e shpëton nga humbja, duke pritur penalltinë

Me rezultatin 1-1 kurbinasit humbën mundësinë për të përmbysur ndeshjen dhe tekniku ka shpejtuar të shfajësojë goditësin nga pika e bardhë: “Ujka ka qenë i caktuar përpara për të gjuajtur penalltinë. Unë e gjykova të arsyeshme, ka kualitet me topin, ka goditje të mirë, ka pasim të mirë, mendoj se në çdo ekip të botës ndodh kjo. Ndoshta duhet të ishim me të përqendruar. Nëse do ishte kush fajtor aty mendoj se do isha unë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *