• |
ide | kryesore

Nis verifikimi i pasurisë për Agron Xhafajn

Kryesore



Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar jashtë vendit për një analizë shkencore audiopërgjimin që dorëzoi në gjykatë gazetari Jetmir Olldashi. Duke krahasuar zërin e personit me të cilin foli skafisti Albert Veliu me atë të Agron Xhafajt, pritet të merret një përgjigje nëse vëllai i ministrit është i implikuar në trafik droge apo jo.

“Hetimet po kryen nga një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë. Janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit.

Po kështu është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Krimet e Rënda njoftuan se ka nisur verifikimi i pasurisë së Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm por pa specifikuar nëse kjo bëhet në bazë të ligjit Antimafia. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, nën hetim do të jetë edhe pasuria e vetë ministrit.

“ka filluar dhe kryerja e verifikimeve pasurore për shtetasin Geron Xhafaj, i ditëlindjes 08.06.1975, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në Vlorë” thuhet në njoftimin e Krimeve të Rënda.

Që biseda nuk është autentike dhe që Agron Xhafaj nuk është personi që bisedon me Albert Veliun, skafistin që kërkonte të kalonte drogë drejt Italisë, kanë dalë garant kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj,

Të dy thonë se e kanë bërë një ekspertizë jashtë vendit dhe se audiopërgjimi nuk është autentik. Megjithatë sapo doli materiali në media, Agron Xhafaj u nis drejt Italisë dhe nuk u shfaq në asnjë media me zë dhe me figurë.

Audiopërgjimi sipas skafistit Albert Veliu dhe gazetarit Jetmir Olldashi është kryer në lokalin e Agron Xhafajt në Vlorë. Vetë gazetari nuk hyri në lokal bashkë me “Babalen” sepse i druhej dekonspirimit, por ai tregoi se nga nisja dhe kthimi i Babales nga lokali kaluan vetëm 5 minuta.

Aq iu desh skafistit për ta takuar, biseduar dhe regjistruar personin që ai thotë se është Agron Xhafaj.

“U kthyem në Vlorë. Unë kam qëndruar në një lokal te Dy palmat” më duket se e ka emrin. Babalja donte të shkonte sërish te lokali i Agron Xhafajt. Ma kërkoi vetë. Nuk e di pse. I dhashë stilolapsin. I thashë mbaje këtu në dorë dhe…” tregoi Olldashi, që pranon se për të kjo vizitë në lokal ishte e tepërt.

“Unë nuk shkova sepse këtu fillon e mendon se këtu vërtet ka kanabis dhe një nga personazhet që ti po kërkon është vëllai i Ministrit të Brendshëm. Nuk është se duket ndonjë gjë e lehtë që ti t’i shkosh prap në lokal, fytyrë e panjohur…”

“Mund të dekonspirohesha. Qëndrova tek një lokal përballë. E pashë që iku drejt lokalit. Nuk e shoqërova deri në katin e dytë. Se do dukesha fare qartë po ta shoqëroja deri në hyrje të lokalit. Qëndroi rreth 5 minuta. Shkoi dhe doli nuk ishte diçka që… Më tha që kam folur me Agron Xhafaj dhe më tha që do shkojmë te Ermali dhe ndjeva frikë. I thashe: Do vij herë tjetër dhe do ta bëjmë këtë punë…!” tregoi gazetari.

Në intervistën që dha në Partinë Demokratike, pasi audiopërgjimi u transmetua në të gjitha mediat, Babalja i mbetet të njëjtin qëndrim. Njeriu me të cilin bisedoi ai, ishte Agron Xhafaj. I mbarsur me mllef dhe me një dëshirë të fortë për hakmarrje, ish bashkëpuntori i Agron Xhafajt, del dhe pranon publikisht se zëri në audiopërgjim ishte i tij.

“Po, e kam bërë bisedë me Agronin, unë s’e mohoj. I kam bërë ato biseda, siç i kam bërë të gjitha reale, nuk kam ça të mohoj”thotë ai, që në intervistë e sipër gënjen kur thotë se nuk e kreu ai audiopërgjimin.

Pjesë nga intervista

Jetmir Olldashi: Po ti thua që Agroni ka përgjuar veten?
Albert Veliu: Po normale, ku di unë ça i është vënë Agronit dhe akuzon Andonin në anën tjetër. Ato të gjitha janë gjëra që janë fakte reale, si zëri që ne kemi folur. Gjithmonë e ha një fukara, nuk e ha një i pasur.

Jetmir Olldashi: E njohin njerëzit zërin e Agronit?
Albert Veliu: 800 metro larg.

Jetmir Olldashi: Çfarë thonë në Vlorë?
Albert Veliu: Po zëri i atij thonë, zëri im, zëri i Ermalit dhe zëri i Altinit. Tani po ka ndonjë zë tjetër, pastaj mund të jetë edhe zëri i plakut tim në varreza. Nuk e di mos është ngjall plaku tim.

Jetmir Olldashi: Dmth, ti thua që, të paktën Vlora, qyteti i Vlorës që ju njeh, njerëzit që e njohin janë shumë të bindur për vërtetësinë e zërit që është zëri i Agronit?
Albert Veliu: Po, çoje ku të duash, ai zë është.

Menjëherë pas publikimit të përgjimit, reagon Agron Xhafaj, vëllai i ministrit. Jo me zë, as me figurë, por me një letër publike, ku shkruan se do të niset drejt Italisë për të vuajtur dënimin që i ka dhënë gjykata italiane.

Agron Xhafaj mohon gjithçka. Audio dhe imazhet janë të sajuara thotë ai që para se të niset në Itali, ka depozituar zërin pranë pranë prokurorisë për një ekspertizë shkencore, që do të krahasojë zërin e tij me atë të personit që bisedon me Albert Veliun.

“Pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitimin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit te paskrupullt ndaj meje e familjes time.
Agron Xhafaj Tiranë, 16 Maj 2018″

©Lapsi.al



1 Comment

  1. cne, cfare ndodhi mor aman. Po ai ishte i paster qelibar dhe zeri nuk eshte i tij. Po pasi e lejuat te largohet tani gjoja po hetoni pasurine e dikujt qe ska punuar nje dite ne jete te vet por eshte marre vetem me droge. te presim e te shikojme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *