• |
ide | kryesore

Krenaria e futbollit shqiptar nuk janë më emrat e mëdhenj

Sport



Shumë u cuditën, por pak kishte për tu habitur në fakt. Kur Laci e Kukësi u bënë skuadrat e vetme të kualifikuara në raundin e dytë të Kupave të Europës, nuk fitoi eksperienca, por projektet e ideuara me kujdes dhe të aplikuara me sukses, që treguan edhe njëherë trendin e ndryshuar të gjeografisë së futbollit në vend. Pa harruar Skënderbeun, dominues të 7 viteve të fundit të futbollit shqiptar, por edhe ai historikisht larg të qenit një emër i madh, skuadrat që po nderojnë Shqipërinë në arenën Europiane vazhdojnë të jenë ato larg kryeqytetit.

Jashtë Partizani, jashtë edhe Luftëtari, për Tiranën duhet pritur tani pas rikthimit për të kuptuar nëse do të jetë përsëri në gjendje të bëjë liderin në vend, gjë që nuk po arrin dot ta bëjë Partizani edhe pse investon shuma kolosale, të paktën në dy vitet e fundit. Kush mund ta imagjinonte se skuadra e një qyteti të vogël, që dikur njihej vetëm nga kombinati i Superfosfatit dhe emrin e kishte Industriali, të thyente jo një skuadër dosido, por qipriotët e famshëm të Anorthosis Famagusta, që ka një vlerë aktuale lojtarësh prej 10.5 milionë euro.

Ky fakt i jep përmasa historike fitores së parë, në 12 takimet ndërkombëtare, kurbinasve që shkojnë për të dytën herë në raundin e dytë të Europa League, edhe pse kishin shënuar vetëm 5 barazime e 6 humbje. Deri tani. Sepse kjo fitore me atë gol të Uzunit është vlerë e një deshire dhe koncepti të realizuar nga skuadra e Prengës. Histori që përsëritet është ajo e Kukësit, që pavarësisht pakënaqësisë së përhershme të presidentit Safet Gjici, në Europë ka bërë gjithnjë mirë. E tregoi edhe në Valeta, ndonëse kundërshtari ishte i kalueshëm.

Blutë kërkojnë të marrin stafetën e korcarëve për të dominuar futbollin në vend dhe inkasimet nga Uefa janë një asist për verilindorët, që në këtë mënyrë janë një hap, në mos më shumë, para gjithë të tjerëve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *