• |
ide | kryesore

Kramp-Karrenbauer, kush është gruaja që do pasojë Merkelin

F1, Planet



Annegret Kramp-Karrenbauer është kryetare e re CDU-së. Ajo mori 51 përqind të votave në kongresin e Hamburgut të CDU-së. Para votimit ajo u tha delegatëve se ka personalitetin e vet dhe nuk është një “mini Merkel”. “Njerëzit më konsiderojnë një kopje, por unë mund t’ju them se qëndroj këtu me personalitetin tim, si vetja ime”, tha ajo. Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Annegret Kramp-Karrenbauer pranoi e emocionuar fitoren me diferencë të vogël votash. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, ajo mori 517 vota, kurse konkurenti i saj Friedrich Merz mori 482 vota. Jens Spahn u eleminua në raundin e parë të votimit.
Annegret Kramp-Karrenbauer ishte shprehur më parë se në rast fitoreje si kryetare ajo do të mbështeste qëndrimin në post të kancelares Merkel deri në fund të mandatit të saj në vitin 2021. Dhe me sa duket kështu do të ndodhi.

Në një koment të kryeredaktores së Deutsche Welle thuhet :”Kancelarja gjermane është për shumë njerëz në të gjithë globin politikania më e rëndësishme. Në një botë, në të cilën bëjnë kërdinë meshkuj shovinistë si Putini, Trumpi dhe Erdogani, ajo ka ditur të jetë zëri i arsyes, bastioni i fundit i ekuilibrit në kohët e copëzimit dhe të nacionalizmave të fuqizuara rrezikshëm.
Ndërkohë brenda vendit të saj, shkëlqimi i Merkelit është zbehur. Në zgjedhjet rajonale, ku humbjet pasuan njëra- tjetrën kritikët brenda partisë filluan të kritikojnë me kaq zë të lartë, sa Angela Merkelit nuk i mbeti më gjë tjetër, veçse të ofronte dorëheqjen nga kryesimi i partisë. Me këtë deklaratë në fund të tetorit, u hap lufta për pasardhësit e saj. Sepse edhe nëse mandati i saj si kancelare përfundon vetëm pas dy vjetësh e gjysëm, ishte e qartë se ajo nuk do të mund të qeveriste më tej, po të zgjidhte partia në krye të saj njërin nga kundërshtarët e saj të qartë”.

Por kjo nuk ndodhi sepse 56 vjeçarja Kramp-Karrenbauer ishte kandidatja e preferuar e Kancelares Angela Merkel. Më parë ajo ka qenë kryeministre e suksesshme në landin e vogël të Zarës, ku drejtoi një koalicion tripartiak. Ajo ka reputacionin se është e aftë të bashkojë pozicione të ndryshme brenda CDU-së dhe një talent për aleanca me parti të tjera.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *