• |
ide | kryesore

Çfarë pickimi të birit… Foto Strakosha në krah të Panuccit: “Rregullat janë rregulla, kombëtarja mbi të gjitha”

Sport



Në kohën kur pothuaj i gjithë opinion sportiv është rreshtuar krah Thomas Strakoshës, për lënien jashtë skuadrës nga tekniku Christian Panucci, pasi portieri i Lazios u bllokua në trafikun e Romës, duke humbur fluturimin, një goditje të fortë portieri i përfaqësueses e ka marrë nga ai që nuk e priste…i ati Foto Strakosha.

I kontaktuar në linjë telefonike, sipas asaj që bën të ditur Panorama Sport, ish-numri 1 i kuqezinjve, peshë që ka kaluar tashmë mbi shpatullat e të birit, është pozicionuar në krah të teknikut Italian, duke u shprehur: “Pavarësisht gjithkujt, Kombëtarja është mbi të gjithë”.

Është e cuditshme në fakt që Foto ka zgjedhur ti tërheqë vëmendjen të birit, në kohën kur vonesa e paraqitjes nën urdhërat e Panucci është konsideruar jashtë mundësive të 23 vjecarit, që të dielën ka luajtur deri në orën 17 ndeshjen e Serie A kundër Parmës: “Edhe në karrierën time, por në të gjithë jetën time, mbi çdo gjë, ka qenë ekipi kombëtar. Dhe për të respektuar edhe momentin e ekipit kombëtar që ka ndeshjen të premten, duke marrë shkas edhe që unë jam prind, babai i Tomasit, nuk do të jem i bindshëm për asnjë. Kështu që, unë jo vetëm e kam për detyrë, por sinqerisht që e respektoj vendimin e trajnerit” ka vlerësuar situatën Foto.

Rregullat janë rregulla natyrisht, por ndonjëherë ka dhe përjashtime, edhe pse Foto nuk kërkon aspak këtë, madje me mbështetjen që jep për vendimin e teknikut Italian, kërkon të shuajë cdo polemikë që në start: “Që në momentin që rregullat e trajnerit janë ato, përderisa është thyerje disiplinore që për X arsye të mos arrish në kohën e duhur, unë e mbështes dhe e respektoj vendimin e trajnerit”.

Në fund megjithatë Strakosha i madh nuk ka ngurruar të hedhë një frazë që të lë të kuptosh se ky pozicionim mund të jetë edhe për motivin e thjeshtë të mos agravimit të situatës, për të mos u future në një konflikt të hapur me teknikun në startin e fushatës eleminatore, që do ta penalizonte jo pak portierin e Lazios. “Sado që të marr pozicion unë, të mirë apo të keq, nuk do të jem i bindshëm për opinionin publik. Kështu që, më lejoni me sinqeritet që duke qenë edhe në të mirë të ambientit të ekipit kombëtar të mbetem me kaq”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *