• |
ide | kryesore

“Golin e zgjidh Sadiku, Lenjani mungesë respekti Shqipërisë”: Panucci ka batuta për të gjithë…edhe për turqit

F1, Sport



Nuk ka më kohë: nesër është dita e të vërtetës, për kombëtaren e për teknikun Christian Panucci, që duhet të tregojë gjithcka ndryshe nga aventura e dështuar e Ligës së Kombeve. E duke qenë tek e vërteta, tekniku italian i Shqipërisë ka nxituar ti thotë disa në konferencën për shtyp, përpara ndeshjes në Loro Borici: “Të përqendrohemi tek Turqia dhe Islanda, Francën ta lëmë në terezinë e saj – ka pranuar me sportivitet italiani, që ka shigjetuar edhe Emir Lenjanin, që e kishte quajtur një kalimtar. “Lenjani nuk i ka shprehur mungesë respekti Panuçit apo Dukës, por Shqipërisë”.

Natyrisht për kuqezinjtë fushata eliminatore e Euro 2020 ka nisur fort me një rival që me shumë mundësi do të luajmë vendin e dytë në grup, duke qenë se sipas parashikimeve, apo edhe asaj që citon vetë Panucci, Franca do të bëjë një garë më vete, e tre skuadra, po të përjashtojmë Moldavinë e Andorrën do të luajnë vetëm për vendin e dytë. “Skuadra ka potencial – karikoi kuqezinjtë tekniku Panucci -. Të përqendrohemi tek Turqia dhe Islanda, Francën ta lëmë në terezinë e saj. Skuadra është e konsoliduar, por ka shumë rrugë për të bërë. Kjo skuadër është si një minë me sahat, mund të shpërthejë kurdo dhe, të bëjë gjëra të mëdha”.

Është sigurisht për tu zgjidhur një cështje e rëndësishme, që lidhet me mefshtësinë para porte. Sikur të mos mjaftonin rezultatet negative, kuqezinjtë e Panucci kanë realizuar vetëm 3 gola në 2018, statistikë dekurajuese, edhe pse italiani e ka gjetur kurën: “Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë – vlerësoi tekniku -. Kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu”.

Panucci nuk ka dashur të zbulojë asgjë nga formacioni, por ka dashur të tregojë mendimin e tij në lidhje me cështjen Lenjani, që përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar mënjanimin nga kombëtarja sa kohë të krye do të jetë Panucci: “Lenjani është grumbulluar 6 herë, nga 9 grumbullime. Thirrja e fundit mungoi, sepse nuk ka luajtur. Lenjani nuk i ka shprehur mungesë respekti Panuçit apo Dukës, por Shqipërisë. Më vjen të qesh… më duhet të komentoj një lojtar që shkruan një letër në Instagram, por ajo që mund të bëj, është të pranoj kërkesën e tij”.

Italiani e di mirë se përballë do të ketë një skuadër të fortë, grintoze dhe me kualitet, ashtu sikurse vetëm Panucci e ka cilësuar. Turqia në fakt do të ketë një mungesë të madhe kur të zbresë në Shkodër pa sulmuesin e Romës Cengiz Under: “Është i aftë të thyejë ekuilibrat, sepse kalon kundërshtarin. Si trajner jam i lumtur që nuk do të jetë, por turqit kanë lojtarë të tjerë që mund të bëjnë keq si Tosun. Kujtojmë që është një skuadër patriote, që entuziazmohet kur dëgjon himnin, por kjo vlen edhe për lojtarët e mi….”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *