• |
ide | kryesore

Gjenerali letonez rrëfen si ndodhi incidenti ku humbi jetën ushtarakja shqiptare

Arkiva



Leitnant Gjenerali Leonids Kalnins, shefi i shtabit i ushtrisë në Letoni, në një intervistë telefonike për Top Channel tregon rrethanat e incidentit të rëndë në “Camp Adazi”, ku humbi jetën ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy të tjerë.

“Mëngjesin e së hënës, në orën 09:13 po zhvilloheshin disa trajnime. Ushtarakët shqiptarë po bënin përgatitjet pikërisht për këtë trajnim. Gjatë këtyre parapërgatitjeve ndodhi një shpërthim i disa mjeteve ushtarake. Për momentin ne nuk e dimë se çfarë lloj mjetesh kanë shpërthyer, pasi ka nisur një hetim për këtë aksident. Nuk do të doja të flisja më tej me detaje se çfarë mjeti shpërthyes ishte, pasi do të ishte një spekulim. Jam në pritje të rezultateve të këtij hetimi të cilat do të bëhen publike për grupin ushtarak dhe për qytetarët shqiptarë” – thotë Kalnins që flet edhe për hetimet.

“Detyra e hetimeve i është besuar Policisë Ushtarake bashkë me Policinë e Shtetit, një grup prokurorësh specialë. Ngjarja ka ndodhur përpara trajnimit të vërtetë. Trajnimi ishte i përbashkët me kontigjentin polak të një kompanie tankesh. Ata po tentonin të realizonin një qitje reale të ngjashme me situatë lufte. Ekipi shqiptar po përgatiste zonën nga ku më pas do të zhvillohej trajnimi në bazë të specifikave të caktuara. Incidenti ndodhi në një fushë ku misioni i tankeve ishte të gjuanin.

Gabim njerëzor? Nuk dëshiroj të them asgjë për momentin nëse është një gabim njerëzor apo një aksident sepse hetimi është në vijim e sipër. Ky vendtrajnimi në Letoni ka 90 vite që përdoret. Se çfarë mjetesh ushtarake kanë shpërthyer ne nuk e dimë ende, pasi jemi duke mbledhur provat dhe më pas do të dalim në konkluzione posaçërisht se çfarë ka shpërthyer”.

Ushtaraku tregon se incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

“Fatkeqësisht, po. Në vitin 2011 7 anëtarë të Gardës Kombëtare u plagosën gjatë stërvitjes nga të cilët njëri humbi jetën. 6 të tjerët mbetën të gjallë, por njëri ka pësuar dëmtime të forta.
Ne i marrim shumë seriozisht çështjet e sigurisë gjatë trajnimeve. Të gjithë ushtarakët, përfshi ata shqiptarë janë të mirëtrajnuar pasi ka procedura standarde për ata që përfshihen në misionet e heqjes së minave. Ne i besojmë të gjitha ato mjete që përdorim në trajnime.

1 në 10 milionë është probabiliteti për të ndodhur diçka e tillë. Është një ngjarje për të ardhur shumë keq dhe ngushëllimet e thella shkojnë tek ushtarakët shqiptarë. Unë besoj se ushtarakët shqiptarë janë ndjekës besnikë të të gjitha rregullave dhe për të ekzekutuar me përgjegjësi detyrat.

Këto trajnime përfshijnë ushtarakë të 9 shteteve të ndryshme. Ndodhin çdo ditë. Kompanitë e tankeve zhvillojnë ushtrime taktike për specialitetin e tyre, ndërsa skuadra IOD që është nga Shqipëria kanë detyrat e tyre në fushëbetejë.

Kush është përgjegjës për këtë ngjarje? Kemi një hetim. Duhet të presim e të shikojmë se kush e shkaktoi këtë aksident tragjik. Më pas, do të vendosim atë çfarë do të dalë nga hetimi” – thotë Leitnant Gjenerali Leonids Kalnins.

“Njëri prej dy ushtarakëve ka plagë të lehta. Dje, pas përfundimit të vizitës në spital, ai ka dalë nga spitali dhe ndodhet në bazë. Ndërsa oficeri tjetër është në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve, në spitalin e Rigës. Po, jeta e tij është në një rrezik të madh” – thotë ndër të tjera ai. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *