Media të ndryshme në botën gjermanishtfolëse i kanë kushtuar vëmendje zgjedhjeve të zhvilluara të dielën më 30 qershor në Shqipëri.
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri i kushton vëmendje në një artikull me titull “Zgjedhje pa kandidatë të opozitës”.
Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të forta sigurie, shkruan FAZ. Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara u përpoqën pa sukses të bindnin Partinë Demokratike dhe kreun e saj të mos zgjidhte bojkotin, por PD bojkoton që nga shkurti parlamentin dhe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur largimin e kryeministrit Rama, nënvizon gazeta gjermane, e cila hedh vështrimin edhe në gjendjen e paralizuar të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Grindja për zgjedhjet lokale në Shqipëri, bojkoti parlamentar i opozitës, si edhe procedura kundër presidentit Meta për shkarkimin nga posti janë shenja të tjera të ashpërsimit të krizës kushtetuese që vazhdon prej muajsh në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese në vend është e paaftë për vendime prej afër një viti, sepse në rrjedhën e një procedimi të udhëzuar nga BE për verifikimin e prokurorëve dhe gjykatësve, shumica e gjykatësve kushtetues ose u shkarkua ose u dorëhoq….Komisioni Europian nga njëra anë e ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në drejtim të reformës në drejtësi, nga ana tjetër është përgjegjës jodrejtpërdrejt për faktin, që Shqipëria sot faktikisht nuk ka gjykim kushtetues dhe për këtë arsye nuk e përmbush dot një kusht thelbësor për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit”, shkruan analisti i FAZ, Matthias Rüb.
Shumë njerëz kanë humbur besimin tek të gjitha partitë në Shqipëri, shkruan korresponndetja e gazetës “Standard”, Adelheid Wölfl, e cila i ka ndjekur zhvillimet e zgjedhjeve në Shkodër. “Të dielën pati grindje për rezultatin në të vërtetë më interesant: Pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje. Në fshatin Ngraç në kuti u gjend vetëm një letër votimi.”
Gazeta Süddeutsche Zeitung nën titullin “Zgjedhje nën tensione të larta”, thekson se opozita në Shqipëri proteston prej muajsh kundër qeverisë dhe kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Ajo akuzon qeverinë e Partisë Socialiste me kryeministër Edi Ramën për mashtrim zgjedhor dhe korrupsion. Kreu i shtetit Meta me dekret u përpoq të shtyjë zgjedhjet, me arsyetimin se atmosfera e ndezur e bën të pamundur një votë demokratike. Rama e shpalli Metën “jo kompetent” për anulimin e zgjedhjeve.”
Kurse agjencia gjermane e lajmeve, dpa thekson faktin, se në Shqipëri zgjedhjet lokale përfunduan pa incidente të mëdha. “Pjesëmarrja në zgjedhje ishte megjithatë e ulët”, shkruan dpa.