• |
ide | kryesore

Gënjeshtra e padobishme e 13 tetorit

1, Arkiva, Ide



Opozita po bie pre e bestydnisë naive sipas së cilës mashtrimi i pushtetit mposhtet me një gënjeshtër edhe më të madhe. Të gjithë udhëheqësit e saj po sillen sikur besojnë vërtet se, në 13 tetor, do të zhvillohen zgjedhjet lokale të dekretuara nga presidenti, bashkë me ato të parakohshmet të propozuara nga ai.

Në pamje të parë të gjithë faktorët kryesorë anti Rama duket sikur kanë leverdi nga ky mashtrim.

I pari Ilir Meta kujton se ruan nderin presidencial, nëse ata që përfaqësojnë shumicën e elektoratit shqiptar, e respektojnë datën e ricaktuar prej tij. Ai shkon dhe më tej, duke prodhuar një fabul të pa kapërdishme që lë të kuptohet, se një javë më pas, mund të hapim negociatat, nëse atë të dilelë mes tetori zhvillojmë një garë elektorale model.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha po e përdor këtë datë sipas modelit të njeriut që të gënjen edhe kur e pyet për orën. Ai po luan me atë, nga njëra anë për të qetësuar kryebashkiakët të cilëve i’u betua se nuk do të linte ti nxirrnin nga zyra dhe nga ana tjetër për të qetësuar ata që i mprehu se do ta shkallmonte përdhunshëm të dielën e 30 qershorit.

Por, këmbëngulja tek ky mashtrim, pavarësisht hedhjes imediate të lumit, e dëmton opozitën.

Sepse zgjedhjet pas tre muajsh nuk i leverdisin asaj, as praktikisht dhe as moralisht.

Nga këndvështrimi utilitar PD dhe LSI që dogjën mandatet dhe bojkotuan zgjedhjet lokale pretendojnë se e bënë këtë harakiri për arsye madhore. Sipas tyre, zgjedhjet me Ramën kryeministër, të mbështetur nga bandat kriminale, nga oligarkët e PPP-ve dhe nga mediat e kapura, nuk kishin kuptim. 

Po a mund të shpërbëhet ky oktapod deri në mes të tetorit?  Edhe sikur Rama ta linte sot zyrën e tij të stolisur me flutura (gjë që nuk ka gjasa të ndodhë), ky do të qe një mision i pamundur. Çlirimi nga tentakulat mafioze të narkopushtetit që ka kapur shtetin, lyp shumë më tepër mund edhe kohë. Prandaj qoftë dhe për interesin e ngushtë vetjak, opozitës nuk i volisin zgjedhje kaq të shpejta.

Por, aq më pak, ato shkojnë paralel me pritshmërinë e publikut. Edhe sikur të imagjinojmë të paimagjinueshmen, që në 13 tetor të zhvillohen zgjedhje dhe Edi Rama të humbasë pushtetin përmes votës, kjo nuk është në interes të askujt. E ç’do i duhej kjo një shqiptari të thjeshtë? Ç’do i leverdiste atij këmbimi i karriges së Ramës me Bashën, apo që ky i fundit të përfitonte nga i njëjti ligj elektoral, ku kryetari i partisë me lista të mbyllura vendos për gjithçka? Ç’do i duhej atij, sërish, një monark i zgjedhur, ashtu siç e konceptojnë, kryeministrin tonë, ndryshimet kushtetuese të 2008? Ç’do ndryshonte për të, pa ashpërsuar ligjin e financimit të partive që i shndërron automatikisht donatorët e politikës në klientë të PPP-ve të pushtetit?

Pra, për të gjitha këto, madje dhe për shumë të tjera, zgjedhjet e menjherëshme shkojnë në dëm të interesit publik.

Ato nuk kanë kuptim nëse nuk vijnë pas një ndryshimi radikal të sistemit.

Pikërisht për këto dy arsye, sa utilitare dhe morale, opozita po bën një gafë të panevojshme duke këmbëngulur tek 13 tetori. Ai as ka për të ndodhur dhe mbi të gjitha as duhet të ndodhë.

Natyrisht, udhëheqësit e saj e dinë këtë. Ata janë të ndërgjegjshëm se në 90 ditë, as nuk marrin garanci për garë të ndershme dhe as nuk kanë kohë për të shtuar simpatinë e publikut.

Megjithatë, në mënyrë nive dhe qorre, ata po e përdorin 13 tetorin, sa për të përkëdhelur egon e tyre, po aq dhe për të manipuluar zyrtarët dhe militantët që i ndjekin nga pas.

Por duke u sjellë kështu ata po bien në një kurth të papritur: në bestydninë se pushteti i një mijë e një mashtrimeve, mposhtet me gënjeshtra edhe më të mëdha, duke harruar se është shumë e vështirë që e keqja të mundet nga e singjashmja e vet. Madje edhe në ato raste që ndodh, ajo prodhon të njëjtin efekt.

©Lapsi.al



9 Comments

  1. Luli na bindi qe nuk mund te behen zgjedhje me Ramen dhe bandat. Tani dhe Moisi qe flet me Zotin te behet, nuk na bind dot per te kunderten. Zgjedhjet me Ramen jane mallkimi i demokracise. Nuk na rruhet fare se kush parti i fiton, sepse ne fund demokracia dhe shqiptaret do humbin.

  2. Nuk kam se çfare ti shtoje ketij shkrimi , thjesht eshte nje shkrim brilant . Anen e pergjithshme e ke goditur ne dhjeteshe , pastaj per detaje ha diskutim sa te duash . Por qe te arrihen keto detaje me pare duhet ulur ne tryeze . Eshte e paimagjinueshme dhe ne skajet e absurditetit qe nje vend me 2.8 milion banor dhe 28 mije km2 te kete nje tranzicion kaq te stergjatur . Por me ç’shoh dhe parandjej , them se ky tranzicion do te zgjasin akoma ne kohe . Jo sepse nuk jane pjekur kushtet por sepse ketu kjasa politike nuk ka as vullnetin me minimal per te bere ndyshime . Te gjithe keta kodosher politikan kerkojne satusquo per te sunduar dhe jo per te udhehequr .
    Ne nje vend ku klases politike i mungon vullneti per te bere ndryshime per te miren e ketij vendi atehere ky popull eshte i destinuar te kaloje neper dy rruge . Ose do te ule koken dhe te sundohet nga kjo klase politike ose do te(i) ngrihet kunder kesaj klase politike deri ne “shfarosje” te saj . Dhe ne te tilla raste historia ka treguar se kushdo qe ka dale kunder interesave te popullit te vete e kane pesuar shume keq . Nuk ma ha mendja qe kete radhe do jete ndryshe nga çka na treguar historia . Kjo quhet lufte per ekzistence . Ate qe me takon ti nuk don te ma jepesh , atehere une emarr me force se eshte e drejta ime . Kodosher politikane mos e çoni durimin e popullit deri ne ate pike qe ai ta marre vete me force ate qe i takon me te drejten e Zotit .

    1. Kurrë nuk mund të shkojë ndonjë vend drejtë progresit demokratik e ekonomik, nëse faji shpërndahet njëlloj tek të gjithë.
      Jo po e gjithë klasa politike shqiptare duhet linçuar, jo po gjithë shqiptarët janë dele.
      Idiotësisht komentohen opozitat se nuk po e qeverisin mirë vendin apo që nuk janë në gjendje të rrëzojnë një qeveri të korruptuar.
      Një qeveri e korruptuar që ka në dorën e saj gjithë makinerinë e pushtetit diktatorial, e që ka kapur edhe pushtetin e drejtësisë, nuk mund të rrëzohet nga asnjë opozitë politike, nëse asaj opozite nuk i bashkohet e gjithë shoqëria, pa e paragjykuar ate.
      Lereni përgjithësimin “klasa politike” e meruni me “glasën politike”. që është në pushtet e që ka rekordet jo vetëm të dështimeve ekonomike, por edhe kulmimit të korrupsionit e krimit shtetëror.
      Nëse e gjithë shoqëria bashkohet në goditjen e një politike qeverisëse të korruptuar e kriminale, cilësdo opozite që kërkon të vijë në pushtet, nuk do tja mbajë që të bëjë edhe ajo si kjo qeveri.
      Edhe sikur me një rotacion qeverisës, Shqipëria do të ketë qoftë edhe 10% progres, është e vetmja rrugë për të dalë nga regresi, kurse me fatalizmin e përgjithësimit të së keqes tek “gjithë klasa politike”, apo gjithë shoqëria, jo vetëm që nuk mund të bëhen hapa para, por ecën mbrapshtë

      1. Mentaliteti dhe teoria jote eshte me e gabuara e mundeshme . Me kete teori kemi 30 vjet qe largojme njrin nga pushteti dhe na vjen nje tjeter me i keq se i pari . A u mblodhen gjithe qelbesirat (sipas Muç Nanos) per te rrezuar ” te keqen e madhe ” qe e kishte zene kete vend ne 2013 ? Dhe ça ndodhi ? Na erdhi ne pushtet ” i gjate ine ‘ qe e degradoi , e degjeneroi kete vend ne ate fare feje qe per ti bere derman ketij vendi do ti duhen dekada pune kolosale . Kush me garanton mua qe edhe Basha nuk behet si ky i gjati ? Akoma me te tmerrshmja behen gjerat nese mendon Erion Veliajn kryeminister . Me kete genjeshtar patetik as nuk e imagjinon dot se ne ç’derexhe do te perfundoje ky vend . Prandaj nese ne i veme ca pika mbi “i” qe tani nuk na bejne dem por na forcojne , keto ndryshime ligjore jane imunitet per vendin dhe popullin . Demokraci nuk do te thote liri por dhune e ligjit ndaj individit per te miren e pergjithshme te vendit .

  3. Zoti xxxxxx e thene shkurt momenti yt do te thot se opozita eshte e njejte me qeveri ne hajduter , i ke bere sherbimin e radhes E . Rames osé me e keqja je nostalgjike me kohen e E . Hoxhes

    1. Nese degjone nje mjaullime ti çmendon se eshte o z.Mesues qen apo mace ? Nese degjon nje blegreim ti çmendon se eshte o z.Mesues dele apo dhelper ? Nese nuk shoh levizje te Bashes , por shoh qe vihet ne diskutim data 13 tetor nga Basha , athere çduhet te mendoje une z.Mesues?
      P.S. Me ofendon, sinqerisht qe me ofendon nese me quan nostalgjik i qoftelarug .

  4. C’behet @@@@@ I paemer ,ke bere ndonje pare sot nga komentet,qeka varferi sot.Mos e rruaj trapin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *