• |
ide | kryesore

Basket/ Spanja vishet me ar, dominon Argjentinën. Scariolo nga titulli Nba tek ai Botëror

Sport, Video



Një kryevepër që vlen ar. Spanja triumfon në Botërorin e basketbollit, duke u imponuar 95-75 në finalen kundër Argjentinës. Iberikët vendosën diktatin që në fillim, duke i mbytur kundërshtarët edhe me një mbrojtje të pakalueshme. Eshtë triumfi i një skuadre, që u rrit me kalimin e ndeshjeve, dizenjuar mjeshtërisht nga Sergio Scariolo. Tekniku italian rrëmben një sukses të dyfishtë historik: në tre muaj u shpall kampion i Nba si asistent i Rapotrs e kampion bote me Spanjën e tij. Historik edhe Marc Gasol, me Rudy Fernandez i vetmi i mbijetuar nga e arta e 2006, e para e Furive të Kuqe: qendra 33 vjecare, që ndricoi finalen me inteligjencën e mbrojtjen e tij (14 pikë, 7 rebound, 7 asist e 3 bllokime), është i dyti i të gjitha kohërave pas Lamar Odom në 2010 që fiton Nba e Botërorin në të njëjtin vit.

Është mbrojtja, celësi i triumfit spanjoll dhe ajo që e bëri punën e Scariolo në pankinë edhe më të jashtëzakonshme. Spanja e mbylli turneun si mbrojtja më e mirë, e finalja kundër Argjentinës është treguesi: kundërshtarët të mbajtur në 36% të fushës në aktin përfundimtar, dominuar 47-27 në rebound, të ndihmuar nga 9 rekuperime e 8 bllokime në 14 topa të humbur. Furitë e Kuqe fituan si një skuadër e konsoliduar, pavarsisht se po kryejnë një ndryshim brezash.

Përralla e Argjentinës përfundon në lot: ato të hidhërimit për një finale të luajtur nën pritshmëritë, duke treguar vetëm në pjesën e fundit atë që e kishte transformuar skuadrën e Hernandez në të parezistueshme kundër Serbisë në cerekfinale e Francës në gjysëmfinale. Argjentina bëri dicka të jashtëzakonshme në Kinë, e jo vetëm sepse Scola në moshën 39 vjecare u bë epiqendra e një grupi që premton të përsërisë mrekullitë. Edhe pse në finale mungoi dicka për të fituar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *