• |
ide | kryesore

Bombardimi i rafinerive të naftës/ Gjithçka duhet të dini rreth konfliktit në rritje mes Arabisë Saudite dhe Iranit

F1, Planet



Ekzistojnë dëshmi në rritje se një sulm me dronë dhe raketa ndaj fushave të naftës në Arabinë Saudite vinte nga Irani.

Rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, fillimisht morën përgjegjësi për sulmin e së shtunës, që shkatërroi gjysmën e prodhimit të naftës në vend. Por zyrtarët e SH.B.A.-së thonë se provat në dispozicion tregojnë se kjo nuk është e vërtetë.

“Nga puna jonë në terren mendojmë se sulmi nuk erdhi nga Jemeni apo Iraku”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes për Zërin e Amerikës të martën, duke shtuar se një ekip i mjekësisë ligjore amerikane është në terren duke punuar me sauditët për të ekzaminuar mbetjet e raketave.

“Ne mendojmë se provat do të jenë bindëse,” shtoi zyrtari.

Më vete, zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se provat që tashmë janë mbledhur janë përfundimtare dhe tregojnë drejtpërdrejt Iranin përgjegjës.

Zyrtarë që duan të mbeten anonimë i thanë NBC News të martën se më shumë se 20 drone dhe raketa të përdorura në sulmin ndaj objekteve të naftës saudite u nisën nga Irani.

Zyrtarë të tjerë i thanë CBS News se të paktën një nga raketat fluturoi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa shkonte në jug drejt Arabisë Saudite, ndërsa Reuters citoi zyrtarët të thoshin se sulmet e kishin origjinën në jug-perëndimin e Iranit.

Kryetari i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit të SHBA, Joseph Dunford, duke folur para gazetarëve në Londër, tha se sulmi i së shtunës dukej ndryshe nga ato të kryera më parë nga rebelët Houthi të Jemenit.

Ai tha se Sh.B.A nuk ka ndonjë pamje mbi sulmet, por përveç ekipit të hetimit në terren, Uashingtoni po ofron mbështetje shtesë për Riadin dhe do t’i lejojë sauditët të bëjnë vlerësimin e tyre.

Megjithë përfundimet e nxjerra nga një numër në rritje i zyrtarëve amerikanë, Irani të martën vazhdoi të mohojë çdo rol në sulm.

“SH.B.A. është në mohim nëse mendon se viktimat jemenase prej 4.5 vitesh të krimeve më të këqia të luftës nuk do t’i bënin diçka për t’u hakmarrë.” – shkruajti Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif të martën në Twitter.

Përfundimet e arritura nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe ushtarakët erdhën ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u drejtua në Riad për të diskutuar me zyrtarët e Arabisë Saudite.

Zv.Presidenti amerikan Mike Pence tha në një fjalim në Uashington se diplomati i lartë amerikan do të diskutonte përgjigjen amerikane ndaj sulmit, ndërkohë që edhe Arabia Saudite, edhe Donald Trump tashmë kanë sinjalizuar se ata besojnë se Irani ishte përgjegjës edhe para se të arriheshin përfundimet përfundimtare.

Ndërkohë, Ministri Saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, njoftoi të martën se gjysma e prodhimit të prerë nga sulmet është rikthyer dhe se mbretëria pret që të prodhojë 11 milion fuçi në ditë deri në fund të shtatorit, krahasuar me 9.6 milion para sulmeve.

Më parë, Mbreti Saudit Salman tha se vendi i tij është i aftë të mbrohet kundër “sulmeve frikacake”, por i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që vendosë para përgjegjësisë autorët.

Zyrtarë të tjerë sauditë gjithashtu përsëritën akuzën e Riadit se armët iraniane u përdorën në sulm, por nuk dhanë prova për këto prentendime.

Trump ka dhënë sinjale të përziera rreth një reagimi të mundshëm të Sh.B.A-së ndaj sulmit ndaj Arabisë Saudite, një aleat i Shteteve të Bashkuara.

“Unë nuk jam duke kërkuar të hyj në një konflikt të ri, por ndonjëherë edhe duhet,” tha ai. “Ky ishte një sulm shumë i madh dhe si i tillë mund të ketë përgjigje nga një sulm shumë, shumë herë më i madh”. (përkthen lapsi.al) 

“Sigurisht duket se më së shumti është Irani,” përfundoi ai.

Me Trump duke fajësuar Iranin për sulmet, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të martën hodhi poshtë mundësinë e negociatave me Uashingtonin mbi programin e saj bërthamor, me përjashtim vetëm nëse SH.B.A. do të kthehej në paktin ndërkombëtar të vitit 2015 që frenoi programin e armëve bërthamore të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike ndaj këtij vendi.

Në tërheqjen e SH.B.A. nga marrëveshja vitin e kaluar, Trump rivendosi sanksionet, duke goditur ashpër ekonominë iraniane. Kishte sugjerime ditët e fundit që Trump mund të takohej javën tjetër me Presidentin iranian Hassan Rouhani, teksa të dy janë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Zyrtarët iranianë të çfarëdo niveli, nuk do të flasin kurrë me zyrtarët amerikanë,” tha Khamenei, duke shtuar se përpjekja e Trump për të lidhur Iranin me sulmet me drone e raketa në Arabinë Sauidte ishte “pjesë e politikës së tyre për të bërë presion mbi Iranin”.

Me pasigurinë fillestare në lidhje me përgjegjësinë për sulmet e dronit, Kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi kërkoi nga administrata Trump që të informojë të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve për gjetjet e tyre të inteligjencës.

Sulmet rritën çmimet e botërore të naftës, të hënën me rreth 15%, por çmimet u tërhoqën deri në ngritje 6% të martën në raportet që Saudite Aramco, kompania e naftës saudite objektet e së cilës u sulmuan, mund ta kthenin prodhimin e saj në normalitet më shpejt sesa mendohej. (përktheu lapsi.al)

Sipas ekspertëve të tregjeve të naftës, një arsye pse çmimet e naftës nuk janë rritur më tej është se raportet më të fundit mbi rezervat globale të papërpunuara tregojnë se tregjet janë furnizuar mirë.

“Tani ka një mundësi për [prodhuesit e naftës] Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sh.B.A që të hyjnë dhe të mbushin pak nga kjo boshllëk [si rezultat i sulmeve saudite]”. “Saudi Aramco, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu kanë thënë se kanë rezerva të gatshme për të vazhduar.” – u shpreh ekspertja Ashley Peterson.

Peterson tha në afat të shkurtër, tregu i naftës ka të ngjarë të përqendrohet në pasigurinë në lidhje me reagimet gjeopolitike ndaj sulmeve në Arabinë Saudite.

“Pasiguria gjeopolitike nuk është sigurisht asgjë e re në Lindjen e Mesme,” tha Michael Heuson, shefi i analistëve të tregut në CMC Markets UK.

VOA, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *