• |
ide | kryesore

“Në Shqipëri nuk kishin luajtur kurrë futboll të tillë”: Edy Reja fshin Rekjavikun dhe Parisin e kujton vetëm ndeshjen e fundit

F1, Sport



Kombëtarja kuqezi nuk është se po kalonte momentin më të mirë, madje vetë tekniku pas humbjes në Francë mori përgjegjësitë përsipër, për zgjedhje të gabuara e performancë më shumë se të dobët, por sic duket pasi fitoi kundër Islandës në Elbasan Arena, në mendje i kanë mbetur vetëm gjërat e mira. Nuk mund të jetë ndryshe, duke parë intervistën euforike të 73 vjecarit për “Tuttomercatoweb”: “Ne po bëjmë një punë të mirë, kam ndryshuar shumë lojtarë, duke futur të tjerë, që dëshmuan se e meritonin plotësisht. Kemi bërë hapa përpara, në Shqipëri thonë se kurrë nuk kanë parë të luajnë futboll si ky me mua. Shpresoj se mund të bëjmë edhe më mirë”.

Ish-trajneri i Napolit e Lazios deri përpara sfidës së fituar 4-2 me islandezët kishte statistika edhe më të dobëta se paraardhësi i tij Christian Panucci dhe kuqezinjtë me 3-5-2 e italiani pak momente ka patur që kanë ekzaltuar. Megjithatë, është çështje këndvështrimi dhe përsa kohë rezultatet kundër të barabartëve janë ato të duhurat, askush nuk do të ankohet për mënyrën si luajmë…

Shanset e kualifikimit në “Euro 2020” janë ende në lojë, sipas Reja, por gjërat do të vendosen në transfertën e Turqisë, kundërshtar që na ka mundur në shtëpi, në ndeshjen e fundit të Panucci në pankinë, nën sytë e Rejas në tribunë: “Kualifikimi do të jetë i vështirë, do të varet shumë nga udhëtimi në Turqi. Ne duhet ta fitojmë këtë transfertë, plus ndeshjen tjetër kundër Moldavisë, gjithmonë larg shtëpisë, që të kemi shpresë. Përndryshe, bëhet e vështirë”.

Momenti i titullarëve të kombëtares kuqezi do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe niveli i kundërshtarit. Reja ka prekur situatën e dy lojtarëve kryesorë si Elseid Hysaj e Berat Gjimshiti, por kjo vlen për të gjithë organikën, që në tetor duhet të mbërrijë me maksimumin e minutave. “Tani për tani, Hysaj nuk është prekur nga mungesa e aktivizimit te Napoli. Ai shënoi një gol të bukur kundër Islandës. Unë dua ta shfrytëzoj atë më lart nga sa është mësuar të luajë. Hysaj po dëshmon të jetë shumë i aftë edhe në këtë qasje taktike”.

Djimsiti? “E kam pasur lojtar edhe vite më parë, ai ishte një futbollist i mirë. Tani është më i pjekur, po bën më shumë se mirë tek Atalanta. Aty ka qenë gjithmonë një nga më të mirët. Pavarësisht nga vështirësitë mbrojtëse, Djimsiti është gjithmonë mjaftueshëm në rolin e tij”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *