• |
ide | kryesore

Dita e të vërtetës: Tirana-Partizani sipas shifrave dhe pritshmërive

F1, Sport



Luhet derbi, luhet Tirana-Partizani, 90 minuta që nuk kanë nevojë për prezantim. Ndeshje që shpëton imazhin e një kampionati të tërë. E ka të qartë këtë edhe Federata Shqiptare të Futbollit, që me vetëdije shkeli një rregullore që e vuri vetë institucioni, për shkak të ndriçimit të papërshtatshëm në stadiumet e parikonstruktuara. E pra Tirana-Partizani do të luhet nën ndricimin e prozhektorëve në orën 19.00. Futbolli është i aftë të të sjellë gjithçka, që nga periudhat gri, pa histori e deri tek histeritë kolektive, nga ato që ke dëshirë t’i përjetosh sa më shpesh, pikërisht si derbi.

Kryeqyteti hesht në pritje të derbit. Nuk ka rëndësi nëse luan për mbijetesë, për kampion, apo sa pikë i ndajnë dy skuadrat: ajo që tifozët nuk falin është humbja në derbi. E këto vitet e fundit Tirana e ka provuar ca si shumë. 154 përballje me Partizanin superior në fitore 65-47 dhe golavarazh 218-166, por kur bardheblutë e të kuqtë të zbresin në fushë për të 155 herë në kampionat, të dielën në 19.00, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi kur arbitri Kridens Meta të sinjalizojë fillimin e ndeshjes.

Partizani për herë të parë në vitet e dominimit ndërqytetas vjen me statusin e kampionit në fuqi, por situata në të cilën ndodhen të kuqtë e Lerdas nuk është aspak pozitive. E përforcuar në sulm me tre lojtarë si Brown, Solomon e Ekuban, përvec Asanit Cinarit e Bardhit që mbajtën peshën e titullit kampion një vit më parë, skuadra e italianit ka shënuar vetëm 3 gola në 5 ndeshje, ekzaktërisht 0.6 gola në ndeshje. Shifra jo ekzaltuese, për një potencial të tillë ofensiv. E në këtë këndvështrim Tirana është favorite: bardheblutë kanë tundur rrjetën 9 herë në 5 takime, për një mesatare 1.8 gola për ndeshje. Ngo’o e Halili janë frikësuesit kryesor të 24 herë kampionëve, me 60% të golave bardheblu nga këmbët e tyre.

Barazia është në mbrojtje: Tirana e Partizani kanë pësuar të njëjtin numër golash, 3, e kanë nga një pikëpyetje për repart. Imami pas sjelljes së fundit dhe përjashtimit në stërvitje nga Mema, duhet parë nëse do ti besohet fanella e titullari, ndërsa Lerda është i shqetësuar nga dëmtimi i qendrës së tij të preferuar, rumuni Boldor, që nëse nuk ia del do të shërbejë për të transformuar skemën nga 3-5-2 në 4-4-2.

Ana psikologjike do të jetë e rëndësishme, por nga do të anojë peshorja? Tirana ka tre pikë më shumë në një përballje, që e sheh ti vijë kundërshtari i vendit të shtatë. Në anën tjetër, Partizani nuk njeh humbje prej gati 6 vjetësh dhe kjo është shndërruar në sindromë në mendjet e pjesës bardheblu të kryeqytetit. Sa për të shkuarën e afërt, të dyja vijnë nga rezultate zhgënjyese në javën e fundit: Tirana e mundur nga Kukësi, ndërsa Partizani i ndalur në shtëpi nga Bylis.

Si gjithnjë, do të luhet edhe në shkallët e stadiumit: Fanatics e Guerrlis do të bëjnë betejën e tyre ironike e ofensive, ndoshta derbi e vetëm që del barazim në pjesën më të madhe të rasteve. Në një kampionat që prej kohësh vuan një dënim kapital, atë të shkallëve të zbrazura të stadiumeve, nuk ka se si të mos jetë emocionuese zhurma e tifozëve, koreografia e tyre, edhe pse këtu futen edhe fyerjet me fjalor pa limit ndaj njëri-tjetrit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *