• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Kosovë/ Triumfon opozita, ish-komandantët e UÇK-së dalin në opozitë

Lajme



Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë. Kur janë numëruar rreth 85% e kutive të votimit, partia e drejtuar nga Albin Kurti ka marrë 25,88% të votave e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,87% të votave.

Diferenca mes dy partive që kryesojnë është rreth 7 mijë vota. Kjo ishte një garë e rëndësishme mes 2 partive të opozitës pasi do të përcaktonte se cila do të jetë ajo që do të përcaktojë kryeministrin e ardhshëm mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

REZULATATET PER 85% TE VOTAVE

LËVIZJA VETËVENDOSJE!                     25,88% ose 31 deputetë
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS  24,92% ose 30 deputetë
PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS  21,01% ose 25 deputetë
AAK – PSD                                                    11,58% ose 14 deputetë
NISMA – AKR – PD                                    4,97% ose 0 deputetë (nuk kalon pragun)
SRPSKA LISTA                                             6,38% ose 10 deputetë
Minoritete të tjera                                                            10 deputetë

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur festën në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës. Një numër i madh i tyre janë parë me flamuj kombëtar afër statujës së heroit kombëtar, por mungonin flamujt e Kosovës.

Reagimet e para

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha për mediat se që nesër do të trokasë në derë LDK-së për bashkëpunim. Kurti tha se do ta krijojë qeverinë sa më shpejt, ndërsa shtoi se e ka synim që kabinetin ta formojë me LDK-në.

“Kurrë nuk më kanë uruar qytetarët më shumë. Është hera e parë që po marrë urime më shumë se kur kam dalë nga burgu i Serbisë. Kjo është më e rëndësishmja, të tjerat besoj që do të pasojnë nesër. Nga politikanët s’ma ka uruar kush, por kjo nuk ka rëndësi për mua”, – tha Kurti.

Ndërsa kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani foli nga selia e partisë duke deklaruar se do të presin që të numërohet edhe vota e fundit dhe të shpallet fituesi përpara se të mbajnë qëndrime. Megjithatë ajo tha se opozita ka dalë fitimtare dhe nëse do të fitojë Kurti ajo tha se do ta urojë.

“Rezultati siç po shihet do të përcaktohet nga votat me kusht dhe nga votat e mërgatës. Pas numërimit të votave me kusht dhe votave të mërgatës do të kemi një rezultat përfundimtar. Do të presim rezultatin final” – tha Osmani.

PDK pranon humbjen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë, për t’i shërbyer kombit dhe shtetit. Ai falënderoi votuesit që besuan tek PDK-ja.

“PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombin dhe shtetin. I jam mirënjohës mijëra njerëzve që i takuam këto ditë”, – tha ai në konferencë për mediat.

Zhgënjen edhe Haradinaj

Pas dorëheqjes për shkak të thirrjes në Hagë, AAK-ja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj u duk se pati rritje në opinionin publik, por ajo nuk u përkthye në vota. Koalicioni i AAK-së së Haradinajt me PSD-në ka mërrë një rezultat zhgënjyes me vetëm 11,55% të votave. Ai ka bërë një koment në Facebook, por nuk flet për rezultatin duke u përqendruar te standardet e procesit.

“Vendimi im për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë. Gara e drejt dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim” – shkruan Haradinaj.

Limaj jashtë parlamentit

Një rezultat akoma më zhgënjyes mori një tjetër ish-komandant i UÇK-së. Famir Limaj dhe partia e tij NISMA që bëri koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit nuk arriti të marrë 5% të votave duke rënë në 4.97%. Pritet të numërohen votat e fundit, votat me kusht dhe votat e emigrantëve për të përcaktuar nëse

NISMA do të hyjë në parlament.

Zgjedhjet e parakohshme erdhën si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe shpërbërjes së Kuvendit. Zgjedhjet kanë qenë më të qetat e mbajtura ndonjëherë në Kosovë kur janë raportuar një numër shumë i vogël incidentesh. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *