• |
ide | kryesore

“Koronavirus do favorizojë tregun shqiptar të futbollit”: menaxheri Matraxhiu bën parashikimin optimist

Sport



Argumenti më i nxehtë i momentit është sigurisht rikthimi i futbollit, apo nëse do të shkojë sezoni deri në fund, por në të dy variantet shpejt do të afrohet dritarja e merkatos së verës, që për herë të parë i gjen klubet shqiptare në një situatë delikate. Natyrisht emergjenca është shëndetësore por goditjen e ka marrë edhe ekonomia, duke bërë që investimet në merkato të jenë shumë më të kujdeshme. Por jo cdo e keqe vjen për të bërë keq. Kjo të paktën sipas menaxherit të futbollit Andi Matraxhiu, që beson se kjo është situata për të forcuar tregun vendas: “Nuk është se pritet një merkato e fortë – shpjegon menaxheri – që do të thotë pak prurje nga jashtë, duke qenë se ata janë lojtarët edhe që kanë pagat më të rënda për buxhetin e klubeve. Të gjithë do të jenë të kujdesshëm dhe mendoj se do të përqendrohen në tregun vendas dhe kjo është dicka e mirë, sepse do ti jepet prioritet lojtarëve shqiptarë dhe benefitet do të jenë për klubet tona, gjë që duhej të ishte bërë prej kohe, por ndoshta është momenti ta fillojmë”.

Në këtë pikë, planet janë kaotike dhe të bazuara mbi nëse, apo sikur. Andi Matraxhiu, një prej menaxherëve që lëvron në futbollin shqiptar bën parashikimin e asaj që mund të vihet në skenë në verë, që lidhet ngushtë me zhvillimin që do të marrë pandemia shëndetësore: “Gjithcka është e lidhur me pandeminë, të cilën nuk mund ta dijë as shkenca se si do të zhvillohet: nëse do të lejojë nisjen e kampionatit, apo do të detyrojë mbylljen. Merkato në këtë pikë është në ajër, ashtu si hapësira që do ti përcaktohet asaj, sepse pa u mbyllur sezoni nuk mund të hapet merkato, edhe nëse kalohen afatet e zakonshme” shpjegon menaxheri. Dritarja e merkatos zakonisht i përket periudhës nga 1 qershori deri në 31 gusht, por shtyrja e kampionatit përtej muajit të parë të verës do të thotë edhe zgjatje e kontratave automatikisht deri në mbyllje të sezonit, që do të pasohet menjëherë me hapjen e merkatos.

Është një situatë e pazakontë në të gjithë nivelet, ndaj dhe FIFA po mendon për një dritare të tretë merkato, që mund ti shërbejë klubeve për të korigjuar gabimet në lëvizje. Federata ndërkombëtare kërkon të jetë më fleksibël në lidhje me datat e merkatos së ardhshme, si ka shpjeguar James Kitching, drejtori i rregullores futbollistike të FIFA, sipas të cilit do të kërkohet fleksibiliteti maksimal për ta adaptuar në kalendaret europiane. “Do të ketë shumë gabime nën presionin e nxitimit apo të tentativës për të mos shpenzuar – vazhdoi Matraxhiu – dhe mendoj se kjo hapësirë do të jetë shumë e leverdisshme për klubet që do të kenë mundësinë, përmes kësaj hapësire, të korigjohen”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *