• |
ide | kryesore

Ish-kampionë Europe, rekordmenë në Serbi me një vlerë 10 fish më të lartë: ky është kundërshtari i Tiranës në Champions

-Instant, F1, Sport



Në 25 gusht Tirana do të luajë sfidën e dytë në Champions, në kërkim të vazhdimit të ëndërrës, por kundërshtari është krejt ndryshe nga Dinamo e Tbilisit, që bardheblutë sapo e likuiduan në Gjeorgji me dy gola të Torassa e Ismailgeci. Crvena Zvezda, skuadra e madhe e Beogradit do të zbresë në në stadiumin “Air Albania” në Tiranë në orën 20:00 me zhurmën e 55 trofeve dhe një Kupë Kampionesh të fituar. Natyrisht skuadra që sot drejtohet nga ish-mesfushori i Inter Dejan Stankovic nuk është ajo e lavdisë së dikurshme, kur në 1990-91 i rrëmbeu trofeun më të rëndësishëm europian për klube Marseille, por ka përsëri një vlerë kompleksive prej 54.85 milionë euro sipas transfermarkt, ndërsa Tirana 4.28.

KRENARIA E SERBISË
Serbët janë mësuar të luajnë në këtë kompeticion, duke shkuar rregullisht në fazën e grupeve. Skuadra që drejtohet nga Stankoviç, në turin e parë, kaloi me lehtësi klubin nga Gjibraltari, Europa, duke fituar 5-0. Crvena Zvezda ka fituar në histori 31 tituj kampionë kombëtarë: 19 në Ligën e Parë të Jugosllavisë, 1 në kampionatin e Republikës Popullore të Serbisë, 5 në Ligën e Parë të Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe 6 në Superligën e Serbisë. Crvena është gjithashtu klubi i vetëm jugosllav që ka fituar Kupën Ndërkontinentale dhe Kupën e Kampioneve. Gjithashtu, në palmaresin e saj skuadra nga Beogradi ka edhe 24 Kupa të fituara në rang kombëtar.

ÇFARË KA SHMANGUR TIRANA…
Ajo që Tirana ka shmangur dhe është në fakt shumë e rëndësishme është transferta në stadiumin e të kuqve. Të luash në Beograd nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Ka qenë dikur, e është edhe sot, pavarësisht se Crvena Zvezda nuk është më ajo e kampionëve të dikurshëm. Rajko Matic, i njohur më shumë si Maracana, është një nga stadiumet më sugjestionues të të gjitha kohërave, ku lojtarët dalin në fushë përmes një tuneli frikësues. I futur në histori për grafitet në gjuhë cirilike, mesazhe të qarta për ti bërë kundërshtarët të druhen, tuneli është lyer tashmë bardhekuq. Një tunel i gjatë, me shkallë që zbresin e ngjiten e ku fundi nuk duket kurrë, duke i bërë të frikësohen 11 kundërshtarët e Zvedzës. I gjatë më shumë se 100 hapa, kalimi që përcjell lojtarët në fushën e lojës ka pësuar një fare ristrukturimi, por ruan me vete vite tradite e frike. Impianti i ndërtuar në 1961, që mban emrin e ish-futbollistit serb Rajko Mitic, është një fortesë që i jep krahë formacionit serb në Europë dhe jo vetëm, por për fat bardheblutë nuk do të luajnë aty.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *