• |
ide | kryesore

Tritoli në makinën e prokurorit, reagon KLGJ: Të gatshëm të bashkëpunojmë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve

Arkiva, Lajme, Të fundit



Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka dënuar sulmin ndaj familjes së prokurorit Arjan Muça, në makinën e të cilit shpërtheu një natë më parë një sasi tritoli. Në një njoftim për mediat, KLGJ ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me këtë akt të rëndë, duke qenë se edhe gruaja e Muçës, Gentiana është gjyqtare.

Në njoftim, KLGJ shkruan se akte të tilla përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës. Këshilli i Lartë Gjyqësor shton se është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me aktin kriminal të datës 11.3.2021 ndaj anëtarëve të familjes së gjyqtares Gentiana Muçaj dhe dënon me forcë çdo akt që cenon sigurinë e gjyqtarëve. Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen e palëkundur familjes Muçaj dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *