• |
ide | kryesore

Tymi i plehrave pushton Fierin/ Sa milion euro u dhanë për inceneratorin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Për të tretën ditë me radhë qyteti i Fierit, rrethinat dhe bashkitë e tjera kufitare janë mbuluar nga tymi prej zjarrit që ra në fushën e mbetjeve që ndodhet në fshatin Sheq të Madh. Zjarri filloi paraditen e së martës, ndërsa tymi mbuloi qytetin e Fierit dhe bashkitë fqinje.


“Po mbytemi, jemi në lagjen ‘1 Maj’, në katin e pestë, e nuk i mbyllim dot dyert se është vapë e madhe, po thithim ajër toksik”, tha Albana Metaj, që jeton rreth 2 kilometra nga fusha e mbetjeve që po digjet.


Tymi që ka mbuluar Fierin prej ditësh ka krijuar një situatë të padurueshme në qytet. Në video të filmuara duken kalimtarë që vrapojnë për të kryer punët e tyre në përpjekje për t’i shpëtuar erës së rëndë dhe mbytëse.

BIRN mësoi se tymi me erë të rëndë që po del nga fusha e mbetjeve në Sheq është shtyrë nga era fillimisht mbi qytet, por me ndryshimin e drejtimit të erës, reja ka mbërritur në Patos, fshatrat e Rroskovecit dhe të enjten në mëngjes reja e zezë e tymit është dukur mbi fshatin Novoselë të Vlorës.

Arjan Ndreu, drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit në Fier, i tha BIRN se zjarri ishte pasojë e temperaturave të larta. Ai shpjegoi se fusha e mbetjeve çlironte gaz metan dhe se një shkëndijë ishte e mjaftueshme për ti vënë zjarrin mbetjeve.

“Sot e kemi situatën nën kontroll, flakët janë shuar, megjithëse vazhdon të çlirohet tym,” the Ndreu. “Kjo sepse ky venddepozitimi mbetjesh është 14 metra i thellë dhe nga ana tjetër kemi të bëjmë me mbetje të të gjitha llojeve, që lëshojnë gaz metan”, shpjegoi ai, ndërsa shtoi se po bëhej mbulimi i fushës me dhe për të bllokuar djegien dhe emetimin e gazrave.

Në venddepozitimin mbetjeve në Sheq te Madh është shpallur emergjencë mjedisore që përpara 10 vitesh. Ajo është hapur 50 vjet më parë dhe shërbente për grumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit – në atë kohë me 20 mijë banorë. Tani kjo ‘bombë’ mjedisore grumbullon mbetjet e një bashkie me 200 mijë banorë, ç’ka ka bërë që të dalë jashtë funksionit.

Mbetjet e Fierit prej kohësh duhej të menaxhoheshin dhe digjeshin në inceneratorin e këtij qyteti, i cili duhej të kishte përfunduar së ndërtuari në prill të këtij viti.

Ndërtimi i inceneratorit është realizuar më anë të një kontrate partneriteti publik privat, e cila i ka kushtuar taksapaguesve 28 milion euro.

Megjithatë, Ndreu i tha BIRN se mbetjet ende nuk mund të dërgoheshin në incenerator për shkak të mungesës së infrastrukturës.

“Nuk kishim infrastrukturën gati, mjetet e transportit të mbetjeve duhet të jenë specifike ndaj nuk kemi filluar ende të dërgojmë mbetjet në incenerator”, tha ai.

Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit deklaroi se vetë inceneratori kishte përfunduar.

Duhet të kemi parasysh se inceneratori është 10 kilometra larg fushës së mbetjeve,” tha ai.

“Po përfundon ndërtimi i një pike grumbullimi pranë ish-Azotikut e cila do të shërbejë si stacion për transportimin e plehrave që grumbullohen nga fshatrat në Verri – aty ku ndodhet inceneratori”, shtoi Ndreu.

Për situatën e rëndë mjedisore të krijuar në Fier, të enjten reagoi dhe deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Ajo ngriti akuza se djegia ishte e qëllimshme dhe si rrjedhojë e interesave “mafioze”.

“Për të tretën ditë me radhë Fieri gdhihet nën tymin e plehrave që digjen në Mbrostar në mënyrën më mafioze të mundshme, ndërkohë që buxheti i shtetit ka 3 vjet që paguan 20 milionë Euro për një incenerator që nuk ekziston”, shkroi Tabaku në faqen e saj në Facebook.

Situata në Fier nuk është e para krizë menaxhimi mbetjesh këtë verë. Më herët bashkitë bregdetare të Kavajës dhe Durrësit, u përballën me probleme të mungesës së venddepozitimeve, ndërsa mbetjet mbetën të papastruara në rrugë për ditë me rradhë.

Koncesionet e inceneratorëve po hetohen nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhr Korrupsionit, SPAK.. Birn

4 Comments

  1. Moz Cigarja ka ndezur nje nga ato tvetat dhe e mori flaka gjithe Fierin! Haku shkon te i zoti! Nje qytet me pak komunist, ishalla po helmohen te gjithe 😉

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu