• |
ide | kryesore

Banka Qendrore e Austrisë: 40% e shqiptarëve që kanë kursime preferojnë t’i mbajnë jashtë bankave, rritje më 2020

-Instant, Lajme, Të fundit

Preferenca për të ruajtur kursimet jashtë sistemit bankar shënoi rritje të shpejtë gjatë periudhës 2019-2020, sipas një anketë të bërë nga Banka Qendrore e Austrisë (OeNB-Euro-Survey) në vendet e Europës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria. Në Shqipëri, afërisht 40% e personave që kishin kursyer preferonin t’i mbanin ato jashtë sistemit bankar. Zgjedhja për të mbajtur kursimet jashtë bankave shënoi rritje të shpejtë në krahasim me vrojtimin që u krye për periudhën, 2017-2018, ku vetëm 26% e personave që kishin kursime preferonin t’i mbanin ato jashtë bankave.


Tendenca për mbajtur kursimet jashtë bankave ka shënuar rritje në katër vitet e fundit, edhe si pasojë e interesave të ulëta që ofrojnë bankat. Sipas Vrojtimit, Serbia është vendi me preferencën më të lartë për t’i mbajtur kursimet jashtë bankave. Gjatë 2019-2020, rreth 52% e personave me kursime kanë pohuar se preferojnë t’i mbajnë ato jashtë bankave.


Përqindje të lartë mosbesimi kanë edhe rumunët dhe kroatët me përkatësisht 42 dhe 44% të kursimtarëve që preferojnë t’i administrojnë ato jashtë bankave. Çekët dhe bullgarët janë më të prirë për t’u besuar bankave, pasi kanë një përqindje shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të Europës Juglindore të atyre që preferojnë të mbajnë paratë jashtë bankave.

Ekspertët e Bankës Qendrore të Austrisë, duke analizuar fenomenin, thonë se mungesa e besimit në sistemin bankar (në veçanti një mungesë e perceptuar e sigurisë së depozitave) është një faktor kryesor në shpjegimin e preferencës së fortë të individëve për të mbajtur kursimet në shtëpi. Për më tepër, kornizat e dobëta institucionale, p.sh. cilësia e dobët e zbatimit të ligjit si dhe një depërtim i ulët i bankave në rajonet rurale, përbëjnë faktorë të rëndësishëm që shpjegojnë zgjedhjen për para cash.

Tendenca për të mbajtur kursimet cash në Shqipëri është materializuar me rritjen e qarkullimit e parasë jashtë bankave.

Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro), sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat historike tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose +18%, që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë e raporton këtë tregues.

Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit 23.6% e totalit (nga 22.1% në dhjetor 2019). Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori 2008, kur u shënua një valë tërheqjesh të depozitave në atë kohë, si rrjedhojë e frikës së shkaktuar nga kriza financiare globale.

Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu