• |
ide | kryesore

Samiti i G20 për Afganistanin: Miliona dollarë ndihma për shmangien e krizës humanitare

-Instant, Lajme, Planet



Liderët e vendeve të G20-tës, ranë dakord të punojnë së bashku për të shmangur një krizë ekonomike dhe humanitare në Afganistan. Këtë e tha kryeministri Italian Mario Draghi pasi drejtoi samitin e jashtëzakonshëm i zhvilluar në mënyrë virtuale.

“Do ta quaja këtë takim një sukses, pasi është hera e parë që liderët kanë një përgjigje multilaterale për krizën në Afganistan. U arrit konsensus mbi nevojën për të mos lejuar kthimin e Afganistanit në një lloj vendstrehimi për terroristët ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri italian Mario Draghi.

Samiti i G20-tës për Afganistanin u fokusua te sfidat humanitare, lufta kundër terrorizmit, situata ekonomike dhe shërbimet publike në vend.

Ndërsa theksoi se Gjermania nuk është e përgatitur të njohë qeverinë e re talebane, kancelarja Angela Merkel ripërtëriu premtimin për 600 milionë euro ndihma. Sipas saj, nuk duhej lejuar që vendi të zhytej në kaos.

“Mendoj se askush nga ne nuk fiton gjë nëse sistemi financiar në Afganistan, shkon në kolaps. Kjo do të nënkuptonte që ndihmat humanitare të mos siguroheshin dot më. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të shohë se si 40 milionë njerëz zhyten në kaos”.

Kancelarja kërkoi që talebanët t’i mundësojnë aksesin të gjitha organizmave të OKB që do të dërgojnë ndihmat dhe theksoi nevojën për respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.

Sakaq, Bashkimi Europian njoftoi një paketë humanitare prej 1 miliardë eurosh, për Afganistanin dhe shtetet fqinje që do të pranojnë refugjatë.

Presidenti amerikan Joe Biden kërkoi që ndihmat të jepeshin përmes organizatave të pavarura ndërkombëtare dhe jo drejtpërdrejtë për talebanët.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *