• |
ide | kryesore

Reportazhi i AFP-së: “Përtej politikës”, serbët dhe shqiptarët i lënë mënjanë mosmarrëveshjet… në fushë

-Instant, Sport



Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë rrallë kanë qenë të mira. Por për futbollistët serbë që luajnë në vendin e armiqve të tyre të dikurshëm, sporti i kapërcen dallimet jetëgjata mes rivalëve. “Futbolli është një mjet fantastik për të mësuar të jetojmë së bashku,” tha Luka Milanovic, 29 vjeçar, një nga 15 futbollistët serbë që luajnë si profesionistë në Shqipëri. Lidhjet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë prej kohësh të ndikuara nga dallime, veçanërisht nga pikëpamjet e tyre kontradiktore për statusin e Kosovës. Pas një lufte të përgjakshme në fund të viteve 1990, Beogradi vazhdon ta shohë territorin si një krahinë renegate dhe nuk e ka njohur kurrë deklaratën e tij të pavarësisë të bërë në 2008.

Kontradiktat mes Kosovës — me shumicën e saj shqiptare dhe myslimane — dhe Serbisë — një komb kryesisht ortodoks — është larg mendimeve të Milanovic në fushë. Atij i është dhënë një “mirëseardhje e ngrohtë” që kur mbërriti katër muaj më parë për të luajtur si profesionist në Shqipëri për Kukësin, një ekip i kategorisë Superiore që vjen nga një rajon malor në kufi me Kosovën. Pikërisht aty, dikur u strehuan më shumë se 500,000 shqiptarë etnikë, që iknin nga sulmet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Tani, qyteti është i qetë dhe është kthyer në një shtëpi për shqiptarët e Kosovës, malazezët dhe kroatët, të cilët gjithashtu luajnë futboll si profesionist për Kukësin. “Unë jam këtu për dashurinë e futbollit,” tha Luka për AFP-në. Për të, konkurrimi në Shqipëri është një vazhdim i natyrshëm i një karriere që e ka parë të luajë për Crvena Zvezdan dhe OFK Beograd në Serbi, së bashku me qëndrimet në Belgjikë, Malajzi, Greqi dhe Hungari.

Kukesi’s midfielder Serbian Luka Milunovic, 29 (C) kicks the ball during a training session in Mullet, near Tirana on January 5, 2022. For years now many Serbian footballers play in some of Albania’s best football clubs.
Gent SHKULLAKU / AFP

– ‘GJUHA E FUTBOLLIT’ –

“Për lojtarët dhe tifozët, Luka është njëri prej nesh”, tha Erjon Allaraj, zëdhënësi i klubit veri lindor. “Ne flasim gjuhë të ndryshme, por të gjithë e dimë gjuhën e futbollit,” shtoi kapiteni i Kukësit, Gjelbërim Taipi, një shqiptar nga qyteti jugor serb i Bujanovcit. Për ditëlindjen e fëmijës së parë të Milanovic në dhjetor, i gjithë ekipi iu bashkua atij për të festuar. Përvoja e tij në Shqipëri është larg përjashtimit.

Në anën tjetër të vendit jo shumë larg brigjeve të Adriatikut, Aleksandar Ignjatovic, 33 vjeçar, kujton tronditjen dhe shqetësimin e miqve të tij kur u tha se po shkonte në Shqipëri për të luajtur me KF Laçin. “Tani, kur shikojnë në Instagram jetën time në Shqipëri, shumë më thonë se duan të vijnë të më vizitojnë”, tha Ignjatovic për AFP. Tani, pranë tërheqjes nga futbolli, Ignjatovic thotë se shpreson të përdorë përvojat e tij në Shqipëri për të zhvilluar një karrierë pas futbollit. “Po mendoj të hap një agjenci turistike që do të më lejojë të punoj në Shqipëri dhe Serbi. Tani i njoh të gjitha vendet e bukura në Shqipëri,” thotë ai, me shpresën për të fituar para nga industria turistike në rritje e Serbisë. Ignjatovic gjithashtu krenohet që ka shumë miq shqiptarë dhe tallet me paragjykimet etnike që kanë ndarë prej kohësh shumë komunitete në rajon.

– ‘SI DUHET TË JETË’ –

“Futbolli na lejon të forcojmë lidhjet tona. Futbolli dhe politika janë dy botë krejtësisht të ndryshme”, thotë Ignjatovic, i cili prej tre vitesh jeton në Tiranë me gruan e tij Mila dhe vajzën e tij tre muajshe Iskra. Por për Vladimir Novakoviç, një analist futbolli në kanalin sportiv serb Sportklub, gatishmëria e serbëve për të luajtur në Shqipëri mund të jetë në fund të fundit vetëm një mundësi për gjetjen e një pune që paguhet. E ndërsa sporti ka aftësinë për të bashkuar, ai gjithashtu ka shërbyer si një vend i fuqishëm për ndjenjat nacionaliste ndër vite, veçanërisht në Ballkan, ku ultrasit e futbollit kanë përqafuar ksenofobinë gjatë ndeshjeve. Në vitin 2014, dhuna shpërtheu gjatë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë pasi një dron fluturoi mbi fushë me një flamur të ideuar nga nacionalistët shqiptarë.

Edhe gjatë Kupës së Botës në Rusi 2018, dyshja zvicerane Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka — që të dy kanë prejardhje nga Kosova — u gjobitën nga FIFA për festimin e golave të tyre kundër Serbisë, duke formuar me duar një “shqiponjë dykrenare” — një gjest që përfaqëson flamurin e Shqipërisë.

Incidenti u pasqyrua gjerësisht në Serbi, ku deri më sot asnjë shqiptar nuk luan në ligat profesionale të futbollit të vendit. Për 82-vjeçarin Borisav Stojacic, mungesa e shqiptarëve në Serbi është një lajthitje e kohëve të fundit, pasi ai kujtoi kohët e dikurshme të “epokës jugosllave, kur prania e lojtarëve shqiptarë… nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme”. “Kështu duhet të jetë,” i tha ai AFP-së. “Theksimi i kombësisë së dikujt është një problem që u shfaq vetëm disa dekada më parë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *