• |
ide | kryesore

Video/ Egnatia e nis ndeshjen me 10 lojtarë, por barazon me Dinamon: Jorgji goditet me sende të forta në Rrogozhinë

-Instant, Sport, Video



Egnatia e Ramadanit merr një tjetër pikë shumë të rëndësishme për luftën për mbijetesë, duke konsideruar edhe mënyrën si u arrit. Përfundon 1-1 ndeshja me Dinamon, që nuk shfrytëzoi dot që luajti gjithë ndeshjen kundër një kundërshtari me një lojtar më pak. Tekniku kosovar i Egnatias e kishte pohuar se loja jo e bukur e skuadrës së tij po rezultonte produktive dhe tani në “Arena Egnatia” vjen një tjetër pikë, në javën e 18 në Superiore.

E pra, rrogozhinasit e nisën më keq nuk mundeshin: në sekondën e 40″ Gëzim Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Enea Jorgji, pas një ndërhyrje ndaj Patrik Bardhit. Protestat e forta të vendasve kërkuan konsulta disa minutëshe me VAR, në të cilat Jorgji akordoi një goditje dënimi, duke i dhënë mundësinë Ibraimit të ekzaltojë aftësitë e tij balistike, që i dhanë avantazhin Dinamos në minutën e 7′.

Me një lojtar më pak e me një gol disavantazh në vetëm aksionin e parë të lojës për Egnatian. Por vendasit nuk hoqën dorë nga ndeshja, madje u ndjenë të penalizuar në minutën e 35′, kur Samake ka prekur topin me dorë dhe arbitri vazhdoi lojën mes protestave të tyre. Kjo ka bërë që pakënaqësia të rritet aq sa në fund të pjesës së parë, kur Jorgji po dilte nga fusha, të goditet nga tifozët me sende të forta, ndonëse ishte i rrethuar nga stjuardet.

Pjesa e dytë nisi me vonesë ku delegati i ndeshjes po konsultohej nëse ky takim do të rifillonte, sic edhe ndodhi. Por pikërisht në këtë atmosferë, në minutën e 57′, Ilirid Ademi barazoi rezultatin, duke ndëshkuar Dinamon. Me këtë pikë, Egnatia pozicionohet në vendin e 9 në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Dinamo renditet në vendin e 6 me 19 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *