• |
ide | kryesore

Laçi përmbush një fazë kampionat pa humbje: tani radhën e ka Kupa

-Instant, Sport



Në 10 ndeshje mes kampionatit e Kupës, fitoret e bardhezinjve janë 8 e barazimet dy, një prej të cilave në cerekfinalen me Egnatian, që të mërkurën shkon vizitor në Laç. Në 27 nëntorin e kaluar në Loro Borici, ishte hera e fundit që Laci doli kokëulur nga fusha. Mirel Josa kishte më pak se një muaj që ishte ulur në pankinën kurbinase dhe ajo ishte ndeshja e katërt me bardhezinjtë. Nga ai moment gjërat për Lacin ndryshuan, me skuadrën që nisi vrullshëm një ngjitje drejt majës së klasifikimit, që u kompletua me fitoren kundër Vllaznisë, tani në Lac, pas një faze të plotë kampionati veshur me petkun e pathyeshmërisë.

Askush nuk ka patur ecurinë e kurbinasve, madje as Tirana e mundur në sfidën direkte nga Laci dhe vrapimin Josës ia ngadalësoi pak vetëm 0-0 me Skënderbeun, që i prishi rrugëtimin perfekt, nëse mund të mos quhet i tillë koleksionimi prej 25 pikësh në 27 të mundshme. Në një llogari gjithëpërfshirëse të Laçit me Josën në pankinë janë 16 ndeshje dhe 11 fitore, me katër barazime e vetëm humbjen e përmendur më parë. Në fakt, në kampionat është edhe më interesante ecuria sepse janë 13 ndeshje ku fitoret janë 10, por barazimet janë dy, kështu që pikët e shtuara në renditjen e kurbinasve janë 32 nga 39 të mundshme dhe nëse pikët totale të Lacit në renditje janë 37 llogaritet thjesht cfarë impakti ka patur Josa për bardhezinjtë.

E megjithë vlerat e shifrave, kjo kundër Vllaznisë ka qenë ndeshja më e vuajtur e Lacit, ndoshta si e para pa Lushkjan një lojtar fundamental për skemat e teknikut, apo se bëhej fjalë për një nga skuadrat më intensive të kampionatit, por në fund vlejnë pikët dhe tani ato janë -6 nga kreu dhe statusi si skuadra e vërtetë anti-Tirana.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *