• |
ide | kryesore

Nga Aristoteli te Lali Eri?

-Instant, Arkiva, Blog



Në Tiranë. Rruga “Mine Peza”. Pingul me të rruga “Kongresi i Tiranës” dhe sheshi para shkollës “Hasan Vogli”. Një pallat i verdhë me një akacie të lartë dhe katër kazanë plehrash buzë një hapësire prej vitesh të pazënë. Mirëpo, ja, prej disa ditësh një tip ekskavatori filloi ta sheshonte, ta nivelonte, ta qëronte atë. Pyes një, dy, tre banorës të zonës dhe nga të tre marr të njëjtën përgjigje: “Këtu do të bëjnë një parking”. Dhe menjëherë e mblodha mendjen sepse m’u kujtua një filozof grek i shekullit IV para erës së re (ose, ndryshe, para Jezu Krishtit).

Një filozof me emrin Aristotel, që mbronte tezën sipas së cilës Natyra e ka tmerr boshllëkun ! Tezë që shkenca e ka hedhur poshtë prej kohësh. Megjithatë, këtë tezë e ka përqafuar, mbështetur dhe po e zbaton fuqishëm (kurrsesi pa rrokjen e parë kjo fjalë!) Erion Veliaj, kryetari (me “t” kjo fjalë, kurrsesi me “k” në vend të saj!) i Bashkisë së Tiranës dhe kanakari i përjetshëm i kryeministrit Rama po aq të përjetshëm.

Me siguri që lali Eri – siç i pëlqen atij ta thërrasë brezi i ri i kryeqytetit shqiptar – do t’i ketë studiuar veprat e Aristotelit, madje, atij duhet t’i ngjajë vetja si mëma Natyrë ngaqë vërtet nuk po lë asnjë hapësirë të lirë, d.m.th. bosh, në çifligun e tij, pra, në qytetin e Tiranës! Kudo po ndërtohen kulla, kulla pa mbarim, parkingje, parkingje pa mbarim, aq sa jam kureshtar të mësoj cila nga veprat e Aristotelit ia ka shtënë në mendje dhe ndezur në shpirt lali Erit urrejtjen patologjike për boshllëkun.

Mirëpo, nga ana tjetër, lali Eri aristotelian ka shkuar më larg se frymëzuesi i tij grek! “Si kështu?” – mund të habiten shumë nga lexueset e lexuesit tejet kureshtarë të këtij shkrimi – Si është e mundur?”. Ja, pra, që qenka e mundur: Aristoteliani ynë kombëtar ka shkuar edhe më larg se vetë mëma Natyrë: Ai po krijon boshllëqe që t’i mbushë po vetë ai! Po, po, a nuk krijoi ai boshllëkun e quajtur “parking” nën sheshin “Skënderbe” për ta mbushur me makina? Shkencëtarët e sotëm duhet t’i heqin atij – në shenjë nderimi të pafund – kapelet, maskat antikovid, madje edhe prezervativat anti-aids!

Kjo logjikë postaristoteliane ka funksionuar para disa vitesh diku pranë rrugës “Mine Peza” te një treg fshatar ku bashkia investoi për modernizimin e tij me banakë, me strehë dhe madje me dy WC portative të reja, por që nuk funksionuan kurrë, sepse u hoqën nga vetë bashkia për t’u zëvendësuar me dy WC të vjetra, të cilat, edhe ato, u hoqën po nga vetë Bashkia, mandej, më vonë, u hoqën edhe banakët, edhe strehët, kështu që sot aty shtrihet vetëm një hapësirë betoni ku, sipas disa gjuhëve hidhësisht profetike, ka mundësi të ndërtohet ndonjë kullë! Ja, pra, se si lali Eri, aristoteliani ynë kombëtar, krijon boshllëqe, të cilat i mbush po vetë në mënyrë që mëma Natyra të mos lodhet, rraskapitet e plaket para kohe duke i mbushur vetë ato!

Kjo logjikë postaristoteliane vlejti edhe për Astirin, vlen edhe për lagjen “5 Maji”: Atje gjithashtu u shembën ose po shemben shtëpi për të krijuar një boshllëk që u mbush ose do të mbushet po me shtëpi! Nuk e di pse pardje pata një si frikë që tek hapësira ngjitur me rrugën “Kongresi i Tiranës”, të cilën e përmenda në krye të këtij shkrimi, parkingu i projektuar për t’u ndërtuar mund të transformohej në pallat shumëkatësh, por isha gabuar: Dje vura re se hapësira në fjalë ishte mbathur me dhe, sipër të cilit po hidhej e nivelohej një shtresë e trashë çaklli!

Prandaj, të nderuara lexuese dhe zotërinj të nderuar, bëni çmos që t’u largoheni hapësirave boshe, sepse ato ndodhen në një situatë kritike: atje ose do të ndërtohen kulla shumëkatëshe që t’ju pengojnë të shijoni dritën e diellit, ose do të shtrihen parkingje ku orë e çast makinat do të vjellin ose më saktë (ndjesë veshëve tuaj të moralshëm!) do të pjerdhin gazra aq të dëmshme për shëndetin tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj!

Së fundi, por jo më së paku, duhet t’ju paralajmëroj edhe për një rrezik tjetër, të cilin e ka parandier këtu e shumë vite më parë shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli në njërin prej romaneve të tij të realistë deri në dhimbje, kur vë në gojën e njërit prej personazheve këto fjalë: “Ruhuni nga piedestalët e zbrazët, se ka nga ata që do të vërsulen të hipin atje me çdo kusht!”. Sigurisht, pak rëndësi ka nëse mëma Natyrë i ka apo nuk i ka tmerr piedestalët e zbrazët, fakti është se Erion Veliaj, lali Eri aristotelian, po ndërton prej vitesh një piedestal tmerrësisht të zbrazët, të cilin do të kërkojë ta mbushë vetëm me praninë e tij të zbrazët e hijelehtë, aq më tepër që po qarkullojnë zëra, sipas të cilëve kryeministri Rama po e përgatit atë si kryeqeveritar të ardhshëm! Po, po, si i kryeqeveritar… (me “t” kjo fjalë, kurrsesi me “k” në vend të saj!).

© Marrë nga Panorama.al



6 Comments

  1. Gjithmone me shkrime te mira Z. Tupe.
    Por ky kodosh duhet futur te ato burgjet amerikane me zazake te uritur..,,
    Atje mund t’ja hapin parking tunel…per te kaluar dhe treni..,
    Te prapanica e fik fistules.

  2. Kete punen e boshlleqeve e kish me plan PD e lul braves kur mori bashkine e Tiranes. Mirepo Rama tha sa tja lej lul braves te knaqi te vetet me mire e bej vete
    , ja knaq une te tijte e te mijte e kshu e shkrij pozite e opozite ne nje, me mua kryetar. Dhe e beri. Po nderton rrumpallen qe la pergjys PDja. Ne ne fakt kuntuam si elektorat se rrumpalla e PDse u mbyll me aq. Por Rama paska qene cun i vazhdimesise se berishes e ktij braves

  3. Zoti Tupe. Te lutem na thuaj si si i bejne punet e qytetit ne France. Nese ti do qe Tirana te behet si Gramshi jot i dashur, atehere ke te drejte. Do tu themi qyetareve te Tiranes te shesin makinat dhe te blejne gomare. Ne kete menyre nuk do te kete nevoje per parking. Dhe ti do te jesh i lumtur te shkruash poezi alla franceze per gomaret e Tiranes. Do te ishte mire te dilje ne pension dhe ti kaloje vitet e fundit te jetes ne Gramsh. Aty ka hapesira dhe gomare plot. Do te te japin me shume frymezim per poemat e ardhshme.

    1. Prandaj nuk bejne perpara keta njerez si puna jote. Se keni lindur menderisht kur ka lind lal plehu. Nuk njihni gje tjeter.
      Sa per Gramshin, laj gojen kur te flasesh.
      Eshte i mbushur me gomere, ke te drejte. Po jane te gjithe si puna jote.
      Profesor Tupja ka qene nje pedagog i nderuar per qytetin dhe eshte i mirepritur kurdohere, ne mos dhe per pension.
      Sa per gomeret , eshte plot. Keshtu qe, gjej ndonje qytet tjeter te vegjetosh.

    2. I nderuari Prof. Tupja është shumë i mirë në poezi erotike, besoj, enkas për sojin tënd, o kokë-k-ar.

      P.S.
      Edhe Ti, o “I paemër”, shitesh si i qytetit, por, në fakt “dukesh” në shkrim se je kokrra e katunarit, që kurër nuk urbanizohen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *