• |
ide | kryesore

Teutës i anullohet goli në shtesë, VAR edhe këtu protagonist: Skënderbeu merr barazimin e tretë me Gegën

-Instant, Sport, Video



Pas polemikave për golin e anulluar Vllaznisë në mesjavë në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë me Partizanin, një tjetër gol bëhet i pavlefshëm nga VAR në kohën shtesë, por këtë herë në Niko Dovana, duke i mohuar fitoren Teutës përballë Skënderbeut. Me rezultatin 0-0, pikërisht në minutën e 92’ Jazxhi mori një pasim nga Daja dhe shënoi përballë Rexhepit, por pas 3 minutash arbitri Juxhin Xhaja pati konfirmimin nga VAR, se goli ishte i parregullt për pozicion jashtë loje të Jazxhi.

Kështu, vetëm 0-0 që nuk ndihmon asnjë nga skuadrat, sepse edhe Teuta tani e sheh veten pranë zonës së rrezikut. Korcarët janë gjithnjë të fundit, pavarësisht barazimit të tretë radhazi, që kur Skënder Gega është ulur në pankinën bardhekuqe.

Një ndeshje e vakët që në pjesën e parë nuk pa asnjë nga dy formacionet të ishte e rrezikshme. Përvec mundësisë të krijuar në fillim, kur Kotobelli në minutën e 3’ tentoi të surprizonte Rexhepin me një goditje që përfundoi lart, asgjë tjetër për tu shënuar për të besuarit e Arapit. Nuk bënë më shumë kundërshtarët, që sinjalin e vetëm e dhanë në të 38’ me Marën, goditja e të cilit u bllokua nga Jazxhi, me korcarët që pretenduan 11-metërsh. Rasti i fundit i pjesës së parë ishte ai i Acquah, që katër minuta nga fundi mund të shënonte në një rrëmujë brenda zonës së Skënderbeut, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Pjesa e dytë ndryshoi pak gjëra dhe vetëm në fund prodhoi emocione. Pesëmbëdhjetë minuta nga fundi Emiljano Vila provoi me kokë, në krosimin e Kotobellit, duke goditur traversën. Mundësia më e mirë e ndeshjes, që Mara iu përgjigj me një goditje nga jashtë zonës në limitet e kohës së rregullt, me topin që përfundoi jashtë. Në fund, polemikat i shkaktoi të gjitha goli i anulluar me VAR.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *