• |
ide | kryesore

Kurti takon politikanët e Luginës së Preshevës: Po bëhet spastrim etnik

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka pritur në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në komunat me shumicë shqiptare në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas njoftimit nga qeveria e Kosovës, në këtë takim është diskutuar për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare ku në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6 mijë adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna”, u tha në fillim të takimit.

Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha.

“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhje as nuk ishin të lira e as demokratike”, tha kryeministri Kurti duke veçuar se mungesa e unitetit dhe e bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore. Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”, u shpreh Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por, domosdoshmëri e kohës.

Në këtë takim morën pjesë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi si dhe kryetarë të tjerë partish dhe zyrtarë komunalë.Ky takim i përfaqësuesve të Luginës së Preshevës me kryeministrin kosovar vjen pasi ndaj  kryetares së Preshevës, Ardita Sinani për sot është thirrur seancë e jashtëzakonshme në këtë komunë, për shkarkimin e saj si kryetare. Ardita Sinani u zgjodh kryetare e Komunës së Preshevës në maj të vitit të kaluar, pasi arriti koalicion me Ragmi Mustafën e Partisë Demokratike Shqiptare, i cili u zgjodh nënkryetar i komunës dhe Sami Salihun nga “Lëvizja për Reforma”, që mori postin e kryetari të Kuvendit komunal.

Partnerët e koalicionit nga radhët e “Lëvizjes për Reforma” që ia dhanë votat Sinanit për ta zgjedhur kryetare para një viti, tani kanë inicuar shkarkimin e saj ndërsa nuk janë përmendur arsyet për largimin e tyre dhe bashkëqeverisjen me partnerë tjerë. Se është siguruar një shumicë e nevojshme për shkarkimin e kryetares Sinani, ka deklaruar edhe ish-kreu i kësaj komune, njëherësh kryetar i partisë “Alternativa për Ndryshim”, Shqiprim Arifi. Kryeministri Kurti ka ftuar në takim në Qeveri edhe Sami Salihun edhe Shqiprim Arifin, por këta nuk morën pjesë./AA



1 Comment

  1. Ai palla i gjate hajdut i fondeve publike do mbaj ndonjë qendrim apo do të lavdëroj Balkanin e hapur te Sorrës. Është bërë si Enveri qe i lëpihej Titos se kështu i ishin dhenë direktivat nga Moska.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *