• |
ide | kryesore

Ethe lufte, Moldavia në gjendje alerti

-Instant, Arkiva, Lajme, Planet, Të fundit



Moldavia po përballet me “një moment të ri shumë të rrezikshëm”, ka thënë zëvendëskryeministri i vendit, teksa paralajmëroi se forca të paidentifikuara po kërkojnë të nxisin tensionet pas një serie shpërthimesh në rajonin separatist të Transnistrisë këtë javë.

Në një konferencë me gazetarët, Nicu Popesku tha se qeveria e tij ka parë “një përkeqësim të rrezikshëm të situatës” ditët e fundit, pas sulmeve me granata në “ministrinë e Rendit” në rajonin e shkëputur të Transnistrisë të hënën.

Sulmet me granata e me raketa sipas tij përfaqësojnë “një moment të ri shumë të rrezikshëm në historinë e rajonit tonë”, tha ai, duke shtuar se institucionet e Moldavisë ishin vënë në gatishmëri të lartë, raporton The Guardian.

Frika po rritet se Moldavia dhe Transnistria mund të tërhiqen në konfliktin e Ukrainës.

Rajoni i Transnistrisë në Moldavinë lindore që dominohet nga rusishtfolës është kontrolluar nga separatistët pro-rusë që nga viti 1992 pas një lufte të shkurtër kur Moska ndërhyri në anën e rebelëve.

Javën e kaluar një komandant i lartë rus tha se marrja e kontrollit mbi Ukrainën jugore do ta ndihmonte Rusinë të lidhej me Transnistrinë, e cila ndan një kufi 453 km me Ukrainën.

Më pas, të hënën ndodhën një seri shpërthimesh misterioze që shënjestruan “ministrinë e Rendit” të Transnistrisë, një kullë radioje dhe njësi ushtarake.

“Analiza jonë e deritanishme tregon se ka tensione midis forcave të ndryshme brenda rajonit të interesuara për destabilizimin e situatës dhe kjo e bën rajonin e Transnistrias të cenueshëm dhe krijon rreziqe për Republikën e Moldavisë,” tha Popesku, i cili shtoi se shumica e moldavëve, duke përfshirë ata në Transnistria donin të qëndronin jashtë luftës.

Qeveria e Moldavisë, e cila nuk kontrollon Transnistrinë, po punonte me disa hipoteza rreth shkakut të sulmeve, tha ai, duke shtuar se mund të ishte një provokim ose “rezultat i disa tensioneve të disa forcave brenda këtij rajoni”.

Ai shtoi: “Ne nuk mund ta drejtojmë saktësisht gishtin apo të hedhim fajin, por ajo që shohim është se me të vërtetë ka disa forca brenda rajonit që punojnë drejt destabilizimit të situatës brenda këtij rajoni”.

Sipas Popeskut, i cili është gjithashtu ministër i jashtëm i Moldavisë, autoritetet transnistriane njoftuan javën e kaluar se po ndalonin të gjithë meshkujt që janë në moshë për të luftuar të largoheshin nga rajoni, gjë që ai e përshkroi si një shenjë se “ne nuk jemi ende jashtë zonës së mundshme të rrezikut”.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *