• |
ide | kryesore

Zbulohet “shtëpi bari” në Valbonë, shpallet në kërkim pronari i banesës

Arkiva



Një tjetër “shtëpi bari” është zbuluar nga policia në Valbonë, Tropojë. Pas kontrolleve, policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Pronari i banesës është shpallur në kërkim, ndërsa  elektricisti i zonës u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e shtetasit Sh. S., ku u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura”, informon policia.

Policia nuk gjeti njeri në banesë ndaj bëri shpalljen në kërkim të 43-vjeçarit Sh. S., banues në Valbonë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Elektricisti nën hetim është shtetasi Q.B., 59 vjeç, banues në Shoshan.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *